Prokurori çek ndalon hetimet ndaj kryeministrit Babish
BKT
   Bota

Prokurori çek ndalon hetimet ndaj kryeministrit Babish

Një prokuror çek ndaloi hetimet për mashtrim të dyshuar ndaj kryeminstrit të Republikës Çeke, Andrej Babish.

Zyra e prokurorit që mbikëqyrte hetimet tha përmes një deklarate se ai e ka dorëzuar vendimin e tij final dhe se "ka ndryshuar opinionin fillestar juridik".

Kryeprokurori i Pragës do ta rishikojë këtë vendim dhe do të vendosë nëse është i vlefshëm ose jo, thuhet në deklaratë.

Policia çeke ka rekomanduar që Babish të përballet me akuza penale në lidhje me shpërdorimin e pretenduar të më shumë se 2 milionë dollarëve subvencione të Bashkimit Evropian.

Rasti, i cili ka shkaktuar protestat më të mëdha antiqeveritare në Çeki qysh më 1989 dhe i ka kushtuar kryeministrit me shumicën e tij në Parlament, përfshin një fermë, e cila ka marrë subvencione të BE-së pasi pronësia e saj është transferuar nga konglomerati i kompanive Agrofert tek anëtarët e familjes së Babishit.

Subvencionet kanë qenë të destinuara për bizneset e mesme dhe të vogla dhe Agrofert nuk ka pasur të drejtë në to.

Babish, i cili po ashtu është subjekt i një hetimi për konflikt interesi, ka mohuar çdo keqbërje.