Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga maji
BKT
   Bota

Belgjika vazhdon të mbetet pa qeveri që nga maji

Partitë në shtetin e Evropës Perëndimore dështuan të formojnë një koalicion 100 ditë pas zgjedhjeve.

Belgjika vazhdon të jetë pa qeveri 100 ditë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 26 majit.

Mbreti belg, Philippe, kishte caktuar politikanët me përvojë Didier Reynders dhe Johan Vande Lanotte të ndërmjetësonin midis partive katër ditë pas zgjedhjeve, megjithatë, përpjekjet e tyre nuk kanë arritur të japin ende ndonjë rezultat.

Një qeveri koalicioni nuk mund të arrihet në nivel federal, si dhe përpjekjet për të formimin e qeverive rajonale në rajonet Flamane dhe Valone kanë dështuar gjithashtu.

Deri më tani, vetëm qeveria rajonale në rajonin e kryeqytetit të Brukselit është duke funksionuar.

Reynders dhe Lanotte i raportuan mbretit në lidhje me bisedimet e koalicionit që nga përfundimi i zgjedhjeve dhe të dy politikanët arritën të sjellin shtatë parti në tryezën e bisedimeve javën e kaluar.

Sidoqoftë, është vërejtur se mosmarrëveshjet në bazë të dallimeve etnike midis rajonit flaman që flasin gjuhën holandeze dhe rajonit valon që flasin gjuhën frënge bllokojnë bisedimet e koalicionit.

Reynders dhe Lanotte pritet të këshillohen me mbretin të hënën e ardhshme për hapat e mëtejshme për kapërcimin e ngërçit politik.

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2010, vendi i Evropës Perëndimore mbeti pa qeveri për 541 ditë.

Belgjika po ashtu mbeti pa qeveri për 194 ditë pas zgjedhjeve të vitit 2007, 148 ditë pas zgjedhjeve të vitit 1988, 107 ditë pas zgjedhjeve të vitit 1979 dhe 102 ditë pas zgjedhjeve të vitit 1992./aa/