Ukraina dhe Rusia përgatiten për shkëmbimin e të burgosurve
Televizioni shtetëror rus ka publikuar pamje të disa autobusëve që kanë dalë nga burgu “Lefortovo” në Moskë, ndërsa raportohet se në ta ndodhen disa të burgosur ukrainas, të cilët do të shkëmbehen me të burgosurit rusë në Ukrainë.
Mediet raportuan se autobusët kanë shkuar në aeroportin Vnukovo, ku është lëshuar një aeroplan me shenja të qeverisë ukrainase.
Nikolai Polozov, avokat nga ekipi mbrojtës i 24 marinarëve ukrainas, të cilët u arrestuan nga Rusia vitin e kaluar, shkroi në Facebook: “Tash mund të themi se procesi ka filluar”.
“Sipas informatave të mia, të gjithë 24 marinarët janë vendosur në autobus”, shtoi ai.
Pritet që marinarët ukrainas të arrijnë në atdhe brenda disa orësh.
Autoritetet nuk i kanë publikuar emrat e të burgosurve të tjerë, të cilët mund të jenë përfshirë në marrëveshjen për shkëmbimin e personave të burgosur, shkruan “Free Europe”.























