Amazona po shpyllëzohet
Deri në fund këtij viti, bimësia në një sipërfaqe prej 10 mijë kilometrash katrorë në Amazonë rrezikon të shkatërrohet krejtësisht.
Gushti është gjithmonë muaj i shoqëruar me thatësira e zjarre natyrale, por këtë vit, masakra mjedisore e Amazonës i detyrohej në masë të madhe veprimeve kriminale të fermerëve, që vinin zjarre për të hapur kullota e për të liruar terren.
Problemet më të shumta duket se vinin nga prodhuesit e sojës. Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, e përkufizoi gjendjen si “katastrofë njerëzore” për popullsinë indigjene në zonë, e që sipas saj, do të ketë një “ndikim të tmerrshëm” mbi të gjithë njerëzimin.
Bachelet i bëri thirrje të gjitha qeverive të vendeve të Amazonës të angazhohen për shpëtimin e saj, duke u kujtuar ndërkohë edhe shteteve të tjera se askush nuk mund ta konsiderojë veten “të përjashtuar nga kriza”. /tch























