OKB: Rreth 350 mijë të zhvendosur gjatë këtij viti në Jemen
Jemeni është përshirë në dhunë që nga viti 2014, duke lënë të vdekur mbi 70 mijë njerëz.
Rreth 350 mijë njerëz janë shpërngulur nga konflikti i vazhdueshëm në Jemen deri më tani në vitin 2019, tha sot Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM).
"Vetëm në vitin 2019, gati 350 mijë njerëz janë shpërngulur", shkroi në Twitter Zyra e IOM-it për Jemenin.
Rrjeti i stafit të IOM-it "mbulon mbi 42 mijë vende për të ndihmuar në kuptimin e nevojave, numrave, vendndodhjeve dhe kushteve të popullsisë në Jemen, përfshirë njerëzit e zhvendosur, të kthyerit dhe migrantët", thuhet më tej.
Jemeni është përfshirë nga lufta civile që nga viti 2014, kur rebelët Huthi pushtuan pjesën më të madhe të vendit, përfshirë kryeqytetin Sana.
Konflikti u përshkallëzua edhe më tej kur Arabia Saudite dhe aleatët e saj arabë, përfshirë edhe Emiratet e Bashkuara Arabe, filluan një fushatë masive ajrore që synonte pengimin e avancimit të rebelëve Huthi.
Dhuna e vazhdueshme ka shkatërruar infrastrukturën themelore të Jemenit, duke bërë që OKB-ja ta përshkruajë situatën si "një nga katastrofat më të këqija humanitare të kohërave moderne"./aa/























