Sulm me bombë në Turqi, shtatë të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur
BKT
   Bota

Sulm me bombë në Turqi, shtatë të vdekur dhe disa të tjerë të plagosur

"Nëntë civilë të tjerë janë plagosur kur terroristët shënjestruan automjetin që transportonte banorët", tha ministri i Brendshëm turk, Soylu

Të paktën 7 civilë u vranë dhe 9 të tjerë u plagosën kur terroristët e PKK-së shënjestruan një automjet që transportonte punonjësit e pyjeve në juglindje të Turqisë, tha sot ministri i Brendshëm i Turqisë, Süleyman Soylu, raporton Anadolu Agency.

"Shtatë vëllezërit tanë u martirizuan nga një shpërthim i një mjeti të improvizuar ndërsa ata ndodheshin në automjetin në lëvizje. Pushoni në paqe. Kishim 10 të plagosur, njëri prej të cilëve u lirua nga spitali", tha Soylu pas vizitës që u bëri të plagosurve në spitalet në provincën e Diyarbakirit.

Ai shtoi se dy nga të plagosurit që po trajtohen në spitalin "Selahaddin Eyyubi" janë me plagë serioze.

Sulmi terrorist ndodhi në rrethin Kulp të Diyarbakirit rreth orës 6 të mëngjesit, tha guvernatori i Diyarbakirit.

Në fushatën e saj terroriste më shumë se 30-vjeçare kundër Turqisë, PKK e renditur si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE, ka qenë përgjegjëse për vdekjen e rreth 40 mijë njerëzve, përfshirë gra, fëmijë dhe foshnje.