Katari dënon sulmet ndaj fabrikave saudite të naftës
Rebelët Huthi në Jemen morën përgjegjësinë për sulmet e së shtunës.
Ministri i jashtëm i Katarit ka dënuar sulmet e së shtunës të kryera me dronë ndaj dy fabrikave të kompanisë shtetërore saudite të naftës Aramco.
"Ne dënojmë sulmet ndaj objekteve vitale dhe civile në Buqayq", shkroi Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani në Twitter.
Më herët, rebelët Huthi morën përsipër përgjegjësinë për sulmet.
"Këto luftëra dhe konflikte patjetër të ndërpriten dhe duhet të bëhen përpjekje për të arritur siguri të përbashkët kolektive në rajon", shtoi ai.
Që nga viti 2015, koalicioni i udhëhequr nga Arabia Saudite ka luftuar rebelët Huthi në Jemen. Mijëra qytetarë të Jemenit u vranë dhe vendi u përball me mungesa të mëdha të ushqimit.
Rebelët Huthi, raketat balistike të të cilëve zakonisht ndalohen nga sistemet e mbrojtjes ajrore saudite, muajve të fundit me dronë të armatosur kanë vënë në shënjestër disa pjesë strategjike të Arabisë Saudite.
Administrata amerikane ka akuzuar Iranin se ka drejtuar sulmet, ndërsa Arabia Saudite pret rezultatet e hetimit./aa/























