Zgjedhjet në Izrael, partitë rivale me numër të njëjtë deputetësh
Partia Likud e udhëhequr nga kryeministri Netanyahu dhe aleanca "Kaltër dhe Bardhë", e udhëhequr nga Yair Lapid dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Benny Gantz do të përfaqësohen në Parlament me nga 32 deputetë.
Në zgjedhjet e përgjithshme të ripërsëritura në Izrael, partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe aleanca "Kaltër dhe Bardhë" rivalja e saj përfunduan baraz garën zgjedhore duke fituar të njëjtin numër të vendeve.
Komisioni Qendror Zgjedhor në Izrael ka njoftuar se deri më tani janë numëruar 92 për qind të votave. Sipas rezultateve jozyrtare nga 29 parti pjesëmarrëse në garë vetëm 9 prej tyre kanë kaluar pragun zgjedhor prej 3.25 për qind.
Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme pjesëmarrja ka shënuar rritje ku nga më shumë se 6.3 milionë votues të regjistruar kanë votuar 69.4 për qind. Izraelitët në zgjedhjet e zhvilluara në muajin prill treguan një pjesëmarrje prej 64.65 për qind.
- Numri i deputetëve i barabartë
Edhe pse partia e Netanyahut kryeson me një diferencë të vogël votash, rezultatet tregojnë një barazim nga pikëpamja e shpërndarjes së vendeve.
Sipas kësaj partia Likud e udhëhequr nga kryeministri Netanyahu dhe aleanca "Kaltër dhe Bardhë", e udhëhequr nga Yair Lapid dhe ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Benny Gantz do të përfaqësohen në Parlament me nga 32 deputetë.
- Lista e Përbashkët Arabe që përfaqëson palestinezët e Izraelit nxori 12 deputetë
Partitë që përfaqësojnë rreth 2 milionë palestinezë shtetas izraelitë, në këto zgjedhje kanë hyrë në formën e një aleance të vetme ndryshe nga zgjedhjet mëparshme. Pjesëmarrja e palestinezëve ka qenë më e lartë se ajo në zgjedhjet e zhvilluara më parë në prill.
Partitë e Frontit (Hadash), Lëvizja Arabe për Ndryshim (Ta’al), Lista e Bashkuar Arabe (Lëvizja islame) dhe Balad (Tecemmu) të cilët në zgjedhjet e para hynë si dy aleanca të ndara kanë nxjerrë 12 deputetë nën çatinë e bllokut Lista e Përbashkët Arabe.
- Lieberman përsëri luan rol kyç në zgjedhje
Derisa ka mbetur nën pragun zgjedhor Partia e Forcës Hebreje (Otzma Yehudit) e cila mbështetet nga hebrenjtë fanatikë, pritet të marrë pjesë në koalicionin e Netanyahut.
Ndërsa Partia "Izraeli Shtëpia Jonë" (Beyteynu) e ish-ministrit të Mbrojtjes, Avigdor Lieberman e cila në zgjedhjet e prillit dërgoi në Parlament vetëm 5 deputetë, në këto zgjedhje ka arritur të nxjerrë 9 deputetë dhe në këtë mënyrë Lieberman është bërë edhe një herë personi që luan një rol kyç në qeveritë e koalicionit.
Poashtu 9 deputetë ka nxjerrë partia Ruajtësit e Teuratit Lindor (Shas) e cila përfaqëson hebrenjtë ultra-ortodoksë (Harediler) të cilët përbëjnë 11.1 për qind të popullsisë së Izraelit me një popullsi prej rreth 9 milionë banorë. Gjithashtu edhe partia Bashkimi Hebre Teurat (Yahudot HaTora) ka nxjerrë 8 deputetë.
Ndërkohë që Partia e djathtë e bashkuar e formuar nën kryesimin e ish-ministres së Drejtësisë, Ayelet Shaked, ndryshe nga zgjedhjet e kaluara ka tejkaluar pragun zgjedhor dhe ka arritur të fitojë 8 vende deputetësh në Parlament.
Aleanca e Partisë së Punës-Gesher të Amir Peretz dhe Orly Levy të cilët në zgjedhjet e prillit nxorën 6 deputetë në këto zgjedhje, përfshirë edhe Aleancën e Bashkimit Demokratik në mesin e së cilës ndodhet edhe partia e Meretz që mbron zgjidhjen me dy shtete kanë nxjerrë 5 deputetë.
- Izraelin e pret një qeveri e re e koalicionit
Për të formuar qeverinë në Izrael nevojiten 61 deputetë nga 120 sa numëron Parlamenti. Sipas rezultateve Izraelin e pret një qeveri e re e koalicionit për shkak se asnjë parti nuk ka arritur shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë e vetme.
Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin, që nga dita e nesërme do të zhvillojë takime me partitë që kanë fituar të drejtën për të hyrë në Parlament.
Presidenti detyrën për formimin e qeverisë mund t‘ia japë liderit i cili është më afër formimit të qeverisë së koalicionit, pavarësisht se cila parti është e para.
Pas shpalljes së rezultateve zyrtare do të qartësohet nëse presidenti Rivlin do t‘ia japë këtë detyrë liderit të partisë Likud Netanyahut apo Gantz-it.
Pasi presidenti të ngarkojë me këtë detyrë një lider partiak, ai do të duhet të formojë qeverinë e koalicionit brenda 28 ditëve. Por, gjithashtu lideri partiak që ngarkohet me detyrën për formimin e koalicionit ka të drejtë të kërkojë afat dy javë shtesë./aa/























