Luftë për shkencën ruse
BKT
   Bota

Luftë për shkencën ruse

Frenimi, korrupsioni, mungesa e cilësisë karakterizojnë shkencën në Rusi. Kremlini kërkon shkencëtarë të nivelit botëror – por ai vetë gjithnjë e më shumë minon lirinë e shkencës.

Kohët e fundit në radhët e akademikëve rusë pati protesta të forta. Ministri i Arsimit  urdhëroi që shkencëtarët të informojnë për çdo takim me studiues nga jashtë – një përpjekje e qartë për të kufizuar kontaktin me kolegët e huaj.

“Shkenca nuk është ruse apo e huaj, por rezultat i përpjekjeve të përbashkëta”, komentoi gazetarja e shkencës, Irina Yakutenko në Facebook. Udhëzimi kufizues u ngjan praktikave të Bashkimit Sovjetik. Kjo në një kohë kur Kremlini dëshiron të ndihmojë që Rusia të fitojë një format të ri. Deri në vitin 2024, Rusia ka si objektiv të ngrihet në pesë kombet kryesore që drejtojnë në shkencë. Po si është me të vërtetë gjendja në shkencën ruse?

Pothuajse asnjë shkollë e lartë pa korrupsion

Universiteti Shtetëror Lomonosov konsiderohet një nga qendrat më të rëndësishme të arsimit në vend. Kur përfundoi ndërtimi në 1954, ndërtesa staliniste prej 240 metrash ishte më e larta në botë jashtë Amerikës së Veriut. Këtu dhe në 950 shkollat e tjera të larta të vendit, çdo vit, më shumë se 200.000 vetë nisin studimet e tyre.

Po të ishin vetëm shifrat, Rusia do të ishte tashmë një komb i madh i shkencës. Gati 63 përqind e 25-34 vjeçarëve kanë një diplomë universitare. Vetëm Koreja e Jugut ka më shumë akademikë. Sidoqoftë, një diplomë nuk thotë domosdoshmërisht diçka për arsimin. Në fund të fundit, shumë universitete i kanë ulur kërkesat e tyre të studimit, për të pranuar sa më shumë studentë që paguajnë – duke lehtësuar kështu vështirësitë financiare, në të cilat u ndodhën pas kolapsit së Bashkimit Sovjetik, shkruan DW.