Guterres: Urgjenca klimatike është një garë që mund ta fitojmë
BKT
   Bota

Guterres: Urgjenca klimatike është një garë që mund ta fitojmë

Ndryshimet klimatike "janë shkaktuar nga ne" dhe zgjidhjet duhet "të vijnë nga ne", thotë Antonio Guterres gjatë Samitit të Veprimit Klimatik.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, filloi samitin duke thënë se "urgjenca klimatike është një garë që ne po e humbim, por është një garë që mund ta fitojmë".

Komentet e tij u bënë gjatë Samitit të Veprimit Klimatik në selinë e OKB-së në New York ku janë mbledhur liderët e qeverive, bizneseve dhe shoqërisë civile.

Guterres foli për vizitat e fundit nëpër shtete të ndryshme, duke përfshirë Mozambikun dhe Bahamet, që po përjetojnë ndikimin e ndryshimeve klimatike.

"Mos bëni gabim, kur shohim ato pamje, ne nuk po shohim vetëm dëme. Ne po shohim të ardhmen nëse nuk veprojmë tani", tha Guterres

"Dhe të rinjtë, mbi të gjitha të rinjtë, janë këtu duke ofruar zgjidhje, duke insistuar për llogaridhënie dhe duke kërkuar veprime urgjente. Ata kanë të drejtë", tha ai.

OKB vlerëson se bota do të duhet të rrisë përpjekjet nga trefish në pesëfish për të përmirësuar ndryshimet klimatike në nivelet e përcaktuara nga shkenca, që parasheh një rritje prej më së shumti 1.5°C, për të shmangur përshkallëzimin e çrregullimeve klimatike.

"Gjenerata ime ka dështuar në përgjegjësinë për të mbrojtur planetin tonë. Kjo patjetër të ndryshojë", tha shefi i OKB-së.

"Ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga ne dhe zgjidhjet duhet të vijnë nga ne", tha gjithashtu ai, duke shtuar se "kemi mjetet dhe teknologjinë në anën tonë".