Kryeministri pakistanez ndërmjetëson me Iranin për të zbutur tensionet
BKT
   Bota

Kryeministri pakistanez ndërmjetëson me Iranin për të zbutur tensionet

Khan tha se presidenti amerikan dhe Princi i Kurorës i Arabisë Saudite i kanë kërkuar që të bisedojë me presidentin iranian për të zbutur tensionet.

Kryeministri pakistanez, Imran Khan, ka thënë se presidenti amerikan, Donald Trump, i ka kërkuar që të ndërmjetësojë me Iranin për të zbutur tensionet në Lindjen e Mesme, pas sulmeve me dronë ndaj fabrikave saudite të naftës.

"Trump më kërkoi nëse mund të deeskalojmë situatën dhe ndoshta të arrijmë marrëveshje tjetër", u tha Khan gazetarëve në selinë e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) në New York.

Khan javën e kaluar në Rijad u takua me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ku ky i fundit i ka bërë kërkesën e njëjtë, duke i kërkuar kryeministrit pakistanez që të bisedojë me presidentin iranian, Hassan Rouhani.

Të hënën ai gjithashtu takoi ndaras Trumpin dhe Rouhanin në margjinat e seancës së 74-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

"Unë menjëherë bisedova me presidentin Rouhani dje pas takimit me presidentin Trump, por nuk mund të them asgjë për momentin më shumë se kjo, përpos se ne po mundohemi dhe po ndërmjetësojmë", tha Khan.

"Po, ne e bartëm këtë, dhe po, ne po përpiqemi të bëjmë më të mirën", shtoi ai.

Tensionet janë përshkallëzuar në Gjirin Persik pasi dronët sulmuan dy fabrika të naftës në pjesën veriore të Arabisë Saudite më 14 shtator.

Grupi rebel Huthi i Jemenit fillimisht mori përgjegjësinë për sulmin, por SHBA-të për sulmin fajësuan Iranin, po ashtu edhe Arabia Saudite. Teherani ka mohuar çdo lidhje me sulmin./aa/