13:34 / 26.09.2019
Holandë, banka ABN Amro nën hetim për pastrim parash
Banka ABN Amro po përballet me hetime për pastrim të mundshëm të parave, deklaroi sot vetë banka.
”Prokurorët po shqyrtonin nëse ajo po zbatonte rregullat për parandalimin e pastrimit të parave dhe financim të terrorizmit”, deklaroi ABM Amro.
Banka siguroi hetuesit për bashkëpunimin e plotë të saj, duke shtuar se u informua dje për hetimin.
Zyra e prokurorisë publike deklaroi se kishte marrë një raport nga Banka Qëndrore Holandeze lidhur me transaksione të dyshimta.
Gjithashtu u dyshua nëse banka kishte verifikuar klientët si duhet.
Vitin e kaluar, banka holandeze ING, u gjobit me 775 milion euro pasi kishte shkelur ligjet për parandalimin e pastrimit të parave.























