Refuzohet kandidatja rumune për komisionare të Transportit të BE-së
BKT
   Bota

Refuzohet kandidatja rumune për komisionare të Transportit të BE-së

Ligjvënësit e Bashkimit Evropian e refuzuan kandidaturën e politikanes së majtë rumune, Rovana Plumb, për komisionare të Transportit të BE-së, pasi ajo ka një konflikt interesi, thanë zyrtarë të BE-së.

Komiteti ligjor i Parlamentit të BE-së "votoi që kandidatja rumune për komisionare, Rovana Plumb, të mos shkojë në seancë dëgjimore", njoftoi në Twitter Thibaut Kleiner, ndihmës i komisionarit të BE-së për burime njerëzore, Guenther Oettinger.

Arsyeja e saktë për këtë vendim nuk është ende e qartë.

Komiteti e ka verifikuar të enjten prapa dyerve të mbyllura deklarimin financiar të Plumbit.

"Ajo që është e qartë, është se dëgjimi nuk mund të zhvillohet", tha zëdhënësi i Parlamentit të BE-së, Jaume Duch Guillot, transmeton REL.

Seancat dëgjimore janë parakusht për emërimet zyrtare, përpara se Komisioni i ri Evropian të nisë detyrën në nëntor.

Komiteti ligjor i Parlamentit të BE-së e ka fuqinë t'i pezullojë seancat dëgjimore të të caktuarve për komisionarë, nëse pas vlerësimit të deklarimeve të tyre financiare del se ata kanë konflikte interesi.

Plumb, ish-ministre e Mjedisit, thuhet se është thirrur para komitetit për të shpjeguar tutje një kredi për financimin e një fushate zgjedhore.

Rumania tani do të duhet të propozojë një kandidat tjetër.