Arabia Saudite, për herë të parë, do të ofrojë viza turistike
BKT
   Bota

Arabia Saudite, për herë të parë, do të ofrojë viza turistike

Arabia Saudite do t`i hapë dyert për turistët ndërkombëtarë për herë të parë.

Të premten, autoritetet atje njoftuan se do të ofrojnë viza për 49 vende dhe se do t'i zbusin kodet e veshjes për vizitoret gra.

Ministri i turizmit, Ahmad al-Khateeb, e përshkroi këtë si një "moment historik" për vendin.

Vizat, deri më tash, janë dhënë kryesisht për pelegrinët, njerëzit e biznesit dhe punëtorët migrues.

Arabia Saudite gjithashtu shpreson të sigurojë investime të huaja në industrinë e turizmit.

Ajo synon që turizmi t'i rritet nga 3% në 10% të prodhimit të brendshëm bruto deri në vitin 2030, transmeton REL.

"Vizitorët do të befasohen nga thesaret që i kemi", tha ministri al-Khateeb.

Jomyslimanët ende nuk do të lejohen të vizitojnë qytetet e shenjta të Mekës dhe Medinës dhe ndalimi i alkoolit do të mbetet në fuqi.

Më shumë detaje për skemën dhe vendet që kanë të drejtë për viza do të jepen më vonë.

Hapja e turizmit është prioritet në reformat e princit saudit të kurorës, Mohamed bin Salman, i cili synon të zvogëlojë varësinë e Arabisë Saudite nga nafta.