BE imponon sanksione ndaj 7 zyrtarëve të tjerë venezuelianë
Së bashku me shtatë të sanksionuarit e fundit, numri i të sanksionuarve nga BE-ja për krizën në Venezuelë ka arritur në 25.
Bashkimi Evropian ka imponuar sanksione ndaj shtatë anëtarëve të shërbimeve të sigurisë dhe inteligjencës së Venezuelës.
Selia e BE-së tha se katër nga shtatë të sanksionuarit, të cilët përballen me 'ngrirjen' e pasurive dhe ndalimin e udhëtimit, “janë të lidhur me vdekjen e kapitenit Rafael Acosta Arevalo, oficer i marinës në Venezuelë që dyshohet se është torturuar në paraburgim të shtetit”.
Së bashku me shtatë të sanksionuarit e fundit, numri i të sanksionuarve nga BE-ja për krizën në Venezuelë ka arritur në 25.
Sipas shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, “ndikimi rajonal i krizës është i paparë, me rreziqe të mëdha për stabilitetin rajonal”.
Mogherini thotë se BE-ja është e gatshme të zgjerojë sanksionet për të inkurajuar një tranzicion politik dhe zgjedhje presidenciale.
Që nga fillimi i vitit, Venezuela është ballafaquar me trazira politike pasi presidenti Nicolas Maduro dhe kreu i opozitës, Juan Guaido, filluan një betejë për pushtet, ndërkohë ekonomia e vendit ka shënuar rënie të mëdha pas rënies globale të çmimit të naftës së papërpunuar, eksportit kryesor të vendit.
Afër 5.000 njerëz çdo ditë largohen nga Venezuela për shkak të paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në mes të krizës ekonomike dhe politike. Që nga viti 2015, sipas Agjencisë së Refugjatëve të OKB-së janë larguar 3 milionë venezuelianë.























