"Mbi 1.000 emigrantë kanë vdekur gjatë vitit 2019 në Detin Mesdhe"
BKT
   Bota

"Mbi 1.000 emigrantë kanë vdekur gjatë vitit 2019 në Detin Mesdhe"

UNHCR bën thirrje për rritjen e kapaciteteve të kërkimit dhe shpëtimit, për të shpëtuar jetë në det.

Të paktën 1.000 emigrantë kanë vdekur deri më tani gjatë këtij viti në Detin Mesdhe, njoftojnë nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR).

"Për të gjashtin vit me radhë, më shumë se 1.000 njerëz humbën jetën duke tentuar për të kaluar Detin Mesdhe", shkroi në Twitter zëdhënësi i UNHCR-së, Charlie Yaxley.

Ai tha se "numri famëkeq" është arritur dhe prioritet duhet të jetë shpëtimi i jetëve.

"Në rend të parë, ne duhet të bëjmë më shumë për të ndaluar njerëzit të provojnë këto udhëtime të rrezikshme me anije", tha Yaxley, duke shtuar se nevojiten rrugë alternative të sigurta dhe legale për të pasur qasje për azil në Evropë.

Yaxley theksoi se njerëzit asnjëherë nuk duhet të ndjehen sikur nuk kanë zgjidhje tjetër përpos se t'ua lënë jetën e tyre në duart e kontrabandistëve.

"Nga BE-ja duhet të kthehen operacionet shtetërore të kërkimit dhe shpëtimit në det. Nuk janë të mjaftueshme vetëm pajisjet detare. Misionet detare në të kaluarën, si Mare Nostrum, kanë shpëtuar mijëra jetë dhe duhet të rikthehen", shtoi ai.

"UNHCR urgjentisht bën thirrje rritjen e kapacitetit të kërkimit dhe shpëtimit, duke përfshirë kthimin e anijeve shtetërore të BE-së në operacionet e kërkimit dhe shpëtimit, si dhe njohjen e rolit kyç të anijeve të OJQ-ve në shpëtimin e jetëve në det", tha Yaxley.

Organizata Ndërkombëtare e Migracionit (IOM) ka njoftuar se që nga viti 2014 të paktën 15.000 viktima kanë humbur jetën e tyre gjatë kalimit të Detit Mesdhe.