Sudani i Jugut, fëmijët ushtarë përpiqen të rehabilitohen
Duke iu shmangur vdekjes gjatë dy dekadave të fundit, fëmijët e rekrutuar përballen me një problem sfidues nga mbajtja e armëve në mbajtjen e çantës shkollore.
Makuei Anyieth u rekrutua në Ushtrinë Çlirimtare Popullore të Sudanit (UÇPS), në moshën 11-vjeçare.
Duke iu shmangur vdekjes në dy dekadat e fundit, gjatë luftimit në beteja të shumta, Anyineth, tani 33-vjeç, përpiqet të fshijë kujtesën e fëmijës ushtar, duke rindërtuar jetën e tij.
Mijëra fëmijë që kaluan përmes betejave të ndryshme duke qenë fëmijë si Aniyeth, të cilët luftuan në konfliktin e Sudanit të Jugut, si nën komandën e forcave qeveritare poashtu edhe të atyre opozitare, përballen me të ardhme të pasigurt.
Tranzicioni nga mbajtja e kallashnikovit, në mbajtjen e lapsit ose librit, paraqet një sfidë të vështirë.
"Kur rekrutoni njerëz të rinj në ushtri, ata nuk mund të kenë një të ardhme të ndritur", tha Anyieth për Anadolu Agency në një intervistë në Bor, kryeqyteti i provincës Jonglei në Sudanin e Jugut.
Duke ndjekur shkollimin në Universitetin John Garang në Bor, Anyieth përkujtoi se ishte bashkangjitur grupit të armatosur pasi babai i tij ishte vrarë në fushëbetejë.
Megjithëse nuk pendohet se ishte pjesë e luftës çlirimtare për Sudanin e Jugut, ai shpreh keqardhje për kyçjen e fëmijëve në konfliktet e armatosura.
"Madje, edhe kur arrihet paqja, ata mendojnë vetëm për luftën. Shumë prej tyre fillojnë të përdorin drogë dhe shkatërrojnë jetët e tyre dhe gjithashtu edhe përparimin e vendit", tha ai.
- Në konflikt u përdorën 19 mijë fëmijë ushtarë
Sipas Fondit të Fëmijëve të OKB-së (UNICEF), 19 mijë fëmijë mund të jenë përdorur në luftën civile në Sudanin e Jugut, e cila filloi në dhjetor të vitit 2013, kur ushtarët besnik të presidentit Salva Kiir dhe ish Zv/presidentit Riek Machar, tani lider i rebelëve, luftuan në kryeqytetin Juba.
Karta Afrikane e cila përcakton të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve, të cilën e ka nënshkruar edhe Sudani i Jugut ndalon rekrutimin e fëmijëve për beteja.
Kuol Ajak Kuol Nyuon, iu bashkëngjit fushëbetejës në moshën 15-vjeçare në vitin 2015, kur e kishte të vështirë t'i kuptonte motivet e luftës.
"Nuk kisha fare ide për politikën. Iu bashkova ushtrisë, sepse njerëzit ishin larguar nga shtëpitë e tyre", tha Nyuon. Xhaxhai i tij e kishte bindur komandantin e tij që ta lirojë nga shërbimi. Ai tani është kthyer në shkollë.
I ulur në shkollën e tij, Nyuon tha se shumë prej shokëve të tij ende janë në ushtri dhe duke luftuar ata janë privuar nga shkollimi. Fëmijët kanë përvoja të tmerrshme për të rrëfyer.
Vazhdon të rritet presioni mbi Qeverinë e Sudanit të Jugut si dhe mbi forcat opozitare që të heqin dorë nga praktika e rekrutimit të fëmijëve. Ato gjithashtu përballen me presionin për të liruar ushtarët fëmijë që aktualisht ndodhen në radhët e tyre dhe t'u lejojnë atyre të kthehen në shkolla.
Sipas aktivistit David Garang Goch, përpos rekrutimit me forcë, gjithashtu edhe çështjet socio-ekonomike luajnë një rol të madh në angazhimin e fëmijëve në grupet e armatosura.
"Shumë fëmijë iu bashkuan forcave ndërluftuese, për shkak të mospasjes së rrugëzgjidhjeve", tha Goch.
Goch tha se qeveria duhet të forcojë Komisionin e Çarmatimit, Demobilizimit dhe Riintegrimit, për t'u siguruar se fëmijët do të lirohen nga ushtria. Gjithashtu, duhet ngritur qendra profesionale për rehabilitimin e ish-fëmijëve ushtarë, për t'iu mundësuar atyre një tranzicion të qetë nga jeta në beteja në jetë normale civile.
- Rekrutimi i fëmijëve vazhdon dhunën
Mary Dok një nënë që kujdeset për fëmijët ushtarë në Etiopi, tha se praktika e rekrutimit të fëmijëve për luftë është e tmerrshme.
"Ne nuk ndjeheshim të lumtura kur fëmijët merreshin nga ne, për t'u bashkuar me ushtrinë, sepse nuk e dinim se çfarë do të ndodhte me ta. Gjatë këtyre ditëve, unë kam parë fëmijët tanë të hanë ushqime jo të shëndetshme", tha ajo.
Kreu i zonës Bor, Agot Kou tha se rekrutimi i fëmijëve është shkaktar për zgjatjen e dhunës. Kjo gjithashtu është një potencial për t'i kthyer ata në kriminelë.
Ministri për Gjini, Fëmijë dhe Kujdes Social, Rachel Amuor Pach tha se qeveria planifikon të investojë në programet edukative për fëmijë. Ai tha se qeveria gjithashtu është duke u përpjekur që t'i mbrojë fëmijët nga rekrutimi.
Sudani i Jugut ka miratuar një ligj në vitin 2018 i cili i dedikohet mbrojtjes së fëmijëve.
Sipas nenit 31 të Ligjit për të drejtat e fëmijëve në Sudanin e Jugut të vitit 2008, qeveria zotohet që asnjë fëmijë të mos rekrutohet apo të bashkohet me ndonjë aktivitet ushtarak apo paraushtarak.
Megjithatë, aktivistët e çështjeve shoqërore, thonë se përkundër ligjeve të rrepta të miratuara, e ardhmja e fëmijëve që kanë luftuar varet nga ekuilibrat.























