BE bën thirrje për qetësi në Siri
Bashkimi Evropian ka bërë thirrje për qetësimin e situatës në veri të Sirisë dhe paralajmëroi se konflikte të reja mund të çojnë në një eksod të madh të popullsisë, duke iu përgjigjur njoftimit të Turqisë se trupat e saj do të fillojnë një sulm në zonën kufitare.
Zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq tha se rinovimi i armiqësive të armatosura në verilindje të Sirisë jo vetëm që do të përkeqësojë vuajtjet e civilëve dhe do të çojë në shpërngulje masive, por gjithashtu do të minojë seriozisht përpjekjet aktuale politike.
Ajo tha se BE mbetet e përkushtuar ndaj "unitetit, sovranitetit dhe integritetit territorial" të Sirisë dhe se një zgjidhje afatgjatë e konfliktit "nuk do të arrihet me mjete ushtarake, por kërkon më tepër një tranzicion të vërtetë politik"























