‘Sulm terrorist’ në Gjermani, tetë të lënduar
Një person, me një kamion të rrëmbyer, aksidentoi qëllimisht veturat në komunikacion dhe plagosi tetë persona në qytetin gjerman të Limburgut mbrëmë.
Policia po heton nëse incidenti është i lidhur me terrorizmin. Shoferi, i cili gjithashtu u plagos, është arrestuar, njofton Daily Mirror, transmeton lajmi.net.
“Bazuar në ato që kemi mësuar dhe në disa rrëfime të dëshmitarëve, njeriu mori kontrollin e kamionit rreth orës 7.20 të mbrëmjes”, tha policia në një deklaratë.
Sipas policisë lokale, kamioni u përplas me tetë vetura që prisnin në një semafor pranë stacionit kryesor hekurudhor të Limburg në shtetin Hesse.
Disa njerëz janë duke u trajtuar në spital, derisa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Ne aktualisht nuk kemi informacion të mjaftueshëm për atë çfarë ndodhi”, deklaroi një zëdhënës i policisë.
Policia nuk e ka përjashtuar mundësinë e një sulmi terrorist, gjersa tha se konsiderohet procedurë normale që shoferi të arrestohej në rrethana të këtilla.























