Japoni, tajfuni "Hagibis" shkakton 19 të vdekur
BKT
   Bota

Japoni, tajfuni "Hagibis" shkakton 19 të vdekur

Është rritur në 19 numri i personave që kanë humbur jetën si pasojë e tajfunit "Hagibis" i cili goditi dje 6 rajone të Japonisë.

Sipas mediave japoneze, Instituti meteorologjik ka njoftuar se në rajonet ku tajfuni ka qenë efektiv kanë humbur jetën 19 persona, rreth 100 të tjerë janë plagosur ndërsa vazhdojnë punimet e kërkimit për 16 persona të zhdukur.

Tajfuni pritet që nga sot të ulë ndikimin e tij dhe të largohet nga arkipelagu japonez.

Ndërkohë bëhet e ditur se në rajonet e prekura nga tajfuni janë dërguar helikopterë dhe anije shpëtimi për njerëzit që kanë mbetur të bllokuar.

Tajfuni arriti shpejtësinë prej 180 kilometra në orë ndërsa në disa rajone në të gjithë vendin pati rrëshqitje të dheut. Për shkak të shirave intensivë autoritetet apeluan që të bëhet evakuimi i më shumë se 6 milionë njerëzve në ishullin Honshu të Japonisë.

Gjithashtu një pjesë e madhe e fluturimeve dhe udhëtimeve të trenave në kryeqytetin japonez Tokio dhe rajonet përreth janë anuluar deri në ditën e nesërme.

Për shkak të tajfunit është shtyrë edhe gara e Formula 1 Grand Prix e cila ishte planifikuar të zhvillohej më 11 tetor në qytetin Suzuka.

Instituti metereologjik kishte paralajmëruar se "Hagibis" mund të ishte tajfuni më i fuqishëm në 60 vitet e fundit.

Si pasojë e tajfunit u shpall situatë emergjente në Tokio dhe në rajonet tjera si Gunma, Saitama, Kanagava, Yamanashi, Nagano dhe Shizuoka.