Itali-SHBA diskutojnë tarifat, Mattarella: Të gjejmë mirëkuptim
Kërcënimi me tarifa ndaj importeve evropiane e gjeti të mërkurën presidentin e Italisë, SergioMattarella, në Uashington. Homologu i tij Donald Trump tha se tarifat janë një zgjidhje e shpejtë dhe vetëm marrëveshjet e reja tregtare mund t`i zhbëjnë ato.
Shtetet e Bashkuara pritet të premten të aplikojnë deri 7,5 miliardë dollarë tarifa mbi importet e një sërë produkteve evropiane.
I pranishëm në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, presidenti italian Sergio Mattarella ftoi homologun amerikan Donald Trump për bashkëpunim që të shmanget reciprociteti edhe nga pala evropiane.
"Italia dhe unë personalisht kemi menduar gjithmonë se është më mirë të gjendet mirëkuptim dhe zgjidhje të përbashkëta, pasi alternativa e tarifave do të ishte shumë e më shumë tarifa", u shpreh Mattarella.
Masat tregtare të Amerikës vijnë pas një vendimi të Organizatës Botërore të Tregtisë që gjykoi së fundmi se gjiganti evropian i aeronautikës, "Airbus", kishte konkurruar padrejtësisht me rivalin amerikan, "Boeing" duke u subvencionuar ndër vite nga Bashkimi Evropian.
SHBA ka planifikuar tarifa 10 për qind më të larta për avionët "Airbus" dhe 25 për qind për produktet si djathi italian, vera franceze, uiski skocez dhe shumë të tjera.
Në një konferencë për shtyp me Mattarellën, presidenti Trump tha se deficiti tregtar me BE-në mund të zgjidhej përmes tarifave, por kjo nuk ishte zgjidhja.
"Ne e mirëpresim përkrahjen e Italisë për një marrëveshje tregtare më të dobishme. Madje po të mos ishin pengesat e padrejta tregtare të BE-së, dy vendet tona do të kishin shkëmbime më të larta tregtare sesa 70 miliardë dollarë", tha Trump.
Në 14 nëntor, qeveria amerikane ka paralajmëruar se mund të aplikojë tarifa deri 25 për qind edhe për automjetet dhe pajisje të tjera të prodhuar në BE.























