Meksikë, arrestohet djali i El Chapo-s, Ovidio Guzman Lopez
Autoritetet lokale i bëjnë thirrje popullatës që mos të dalin në rrugë për shkak të shkëmbimit të zjarrit nga grupet e organizuara kriminale.
Autoritetet meksikane konfirmuan të enjten arrestimin e Ovidio Guzman Lopez, djalin e prijësit famëkeq të kartelit të drogës "El Chapo" Guzman, në Culiacan, kryeqyteti i shtetit perëndimor të Sinaloas.
Ministri i Sigurisë Publike të Meksikës, Alfonso Durazo në një konferencë për media tha se ky grup i organizuar kriminel më pas sulmoi disa vende për të krijuar panik në Culiacan.
Videot dhe imazhet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë njerëz të armatosur, duke përdorur armë, duke bllokuar rrugë dhe djegur kamionë. Të shtënat e vazhdueshme me armë mund të dëgjoheshin në prapavijë e disa videove.
Në kulmin e kaosit, diku rreth 20 deri në 30 të burgosur u arratisën nga burgu, njoftoi media lokale Milenio.
Autoritetet lokale kanë paralajmëruar njerëzit të mos dalin në rrugë derisa vazhdojnë të shtënat në qytet. Njoftohet se njerëzit janë duke u strehuar brenda bizneseve lokale.
"Po përpiqemi të vendosim sigurinë në qytetin Culiacan", shkroi në Twitter, Quirino Ordaz Coppel, guvernatori i Sinaloa. "Unë kërkoj nga ju të qëndroni ne vende të sigurta dhe të jeni vigjilent".
Pushteti vendor tashmë ka anuluar të gjitha aktivitetet shkollore dhe arsimore për ditën e premte.
El Chapo u arrestua në vitin 2016 dhe dënimin me burg e vuan në SHBA. Ai është ish-drejtuesi i kartelit Sinaloa, i cili u themelua në Culiacan.























