Guterres përsërit thirrjen për dialog për zgjidhjen e çështjes së Kashmirit
Zëdhënësi i Guterres tha se shefi i OKB-së do të vazhdojë të bëjë thirrje për zgjidhje përmes dialogut.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, ka përsëritur thirrjen që çështja e Kashmirit midis Indisë dhe Pakistanit të zgjidhet nëpërmjet dialogut, njoftoi zëdhënësi i tij.
Duke folur në brifingun ditor, zëdhënësi Stephane Dujarric tha se çdo zgjidhje në Kashmir duhet të jetë përmes dialogut dhe të respektojë të drejtat e popullatës që jeton në këtë rajon.
"Ky vazhdon të jetë qëndrimi i tij (Guterresit)", tha Dujarric i pyetur në lidhje me problemin në rajonin e kontestuar të Kashmirit.
Ai tha se Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka bërë dhe do të vazhdojë të bëjë thirrje për zgjidhje me dialog të çështjes dhe shtoi se Guterres ka diskutuar këtë problem me kryeministrat e Indisë dhe Pakistanit gjatë Asamblesë së 74-të të Përgjithshme të OKB-së.
Më 5 gusht, India anuloi nenin kushtetues 370 që i garanton Kashmirit status të veçantë prej më shumë se gjysmë shekulli.
Pas vendimit, forcat indiane të sigurisë në Xhamu dhe Kashmir intensifikuan operacionet e rendit dhe presionet mbi popullatën, ndërprenë linjat e komunikimit, si dhe arrestuan drejtuesit dhe anëtarët e të gjitha partive lokale në rajon.
Që nga viti 1947, kur India fitoi pavarësinë nga Britania, Xhamu dhe Kashmiri ishte në një pozitë të privilegjuar të miratonte ligjet e veta. Ky status i veçantë përfshinte edhe ligjin e shtetësisë, i cili nuk lejonte që të huajt të vendoseshin dhe të përfitonin pronë në rajon.























