Protestat kundër qeverisë në Kili, 20 të vdekur
Deri më tani në protesta, përfshirë edhe ngjarjet e plaçkitjeve dhe zjarrvënieve kanë humbur jetën 20 persona ndërsa janë plagosur 1.218 të tjerë, përfshirë 745 forca sigurie.
Në ngjarjet e dhunshme dhe protestat kundër qeverisë që vazhdojnë prej dy javësh në Kili kanë humbur jetën 20 persona, 1.218 të tjerë janë plagosur dhe 9.203 persona janë arrestuar.
Në vendin e Amerikës së Jugut, Kili, vazhdojnë ngjarjet e dhunshme dhe protestat kundër qeverisë që nisën më 6 tetor me rritjen e çmimit të biletës së metrosë në kryeqytetin Santiago dhe të cilat u ashpërsuan më 19 tetor duke shkaktuar ngjarje të plaçkitjeve në shumë qytete.
Sipas raportit të publikuar nga Ministria e Drejtësisë së Kilit, deri më tani në protesta, përfshirë edhe ngjarjet e plaçkitjeve dhe zjarrvënieve kanë humbur jetën 20 persona ndërsa janë plagosur 1.218 të tjerë, përfshirë 745 forca sigurie.
Si pasojë e këtyre ngjarjeve janë arrestuar gjithsej 9.203 persona, janë djegur 26 autobusë dhe janë dëmtuar gjithashtu 49 stacione metroje.
- Protestat vazhdojnë
Protestat ende vazhdojnë kryesisht në Santiago pavarësisht se presidenti Sebastian Pinera ndërroi 8 ministra përfshirë ministrat e Financave dhe të Brendshëm.
Herë-herë ndodhin përleshje mes forcave të sigurisë dhe protestuesve të cilët mblidhen në sheshin historik "Italia" të qytetit dhe kërkojnë dorëheqjen e presidentit Pinera.
Në protestat e një dite më parë protestuesit tentuan të marshojnë nga sheshi "Italia" në rezidencën e presidencës La Moneda, por u përballën me pengesën e policisë dhe gjatë konflikteve të përjetuara dogjën një qendër tregtare në rajon.
Të premten më 25 tetor në Santiago u zhvillua një protestë e madhe me pjesëmarrjen e 1.2 milionë personave. Po ashtu edhe në fundjavë pritet që në kryeqytet të zhvillohet një protestë tjetër e madhe për dorëheqjen e Pinera-s.























