Komiteti Kushtetues Sirian sot inaugurohet në Gjenevë
Të hënën, Pedersen tha se komiteti është mandatuar për të përgatitur dhe hartuar një reformë kushtetuese për miratim popullor që do t’i hapë rrugën një zgjidhjeje politike në Siri.
Komiteti Kushtetues Sirian, i cili përbëhet nga opozita, shoqëria civile dhe anëtarët e regjimit, do të inaugurohet sot në Gjenevë me ndihmën e Kombeve të Bashkuara (OKB).
Komiteti do të nis zyrtarisht në mesditë në një mbledhje ku i dërguari i posaçëm i OKB-së për Sirinë, Geir O. Pedersen, pritet të mbajë një fjalim.
Të hënën, Pedersen tha se komiteti është mandatuar, brenda kontekstit të procesit të Gjenevës të lehtësuar nga OKB-ja, për të përgatitur dhe hartuar një reformë kushtetuese për miratim popullor që do t’i hapë rrugën një zgjidhjeje politike në Siri.
Ai tha se pret që komiteti prej 150-anëtarësh të fillojë konsultimet më 1 nëntor.
“Pas kësaj, synojmë të kemi një organ hartues më të vogël të përbërë nga 45 persona, 15 nga qeveria, 15 nga opozita dhe 15 nga e treta e mesme, që ata pastaj do të fillojnë punën e tyre këtu në Gjenevë”, tha Pedersen.
Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dje tha se të gjithë aktorët do të ulen së bashku për herë të parë dhe do “të ndërmarrin hapin e parë në rrugën politike nga tragjedia e konfliktit sirian”.
Siria ka mbetur e bllokuar në një luftë civile që nga fillimi i vitit 2011, kur regjimi i Bashar al-Assadit u përplas me protestat pro-demokratike.
Që atëherë, mbi 5 milionë civilë janë kthyer në refugjatë. Turqia strehon 3.6 milionë prej tyre, më shumë se çdo vend tjetër në botë.























