Ish-udhëheqësi i Hong Kongut: Të rinjtë e rajonit po radikalizohen
BKT
   Bota

Ish-udhëheqësi i Hong Kongut: Të rinjtë e rajonit po radikalizohen

Leung thekson se një e treta e personave të arrestuar në katër muajt e fundit në protesta janë nën moshën 18-vjeçare dhe sipas tij ata janë radikalizuar në internet dhe nëpër shkolla.

Duke fajësuar radikalizimin e të rinjve përmes internetit për protestat e vazhdueshme në Hong Kong, një ish-drejtues i rajonit pretendon se qyteti po gëzon një status unik autonom më shumë se çdo qytet tjetër në botë, qoftë Londra, Parisi, New Yorku apo Tokio.

Hong Kongu është ballafaquar me protesta të dhunshme që nga muaji korrik, si pasojë e të cilave deri më tani janë arrestuar 2.400 persona dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Duke folur për Anadolu Agency ish-shefi ekzekutiv i Hong Kongut, Leung Chun-ying, thekson se një e treta e personave të arrestuar në katër muajt e fundit në protesta janë nën moshën 18-vjeçare dhe sipas tij ata janë radikalizuar në internet dhe nëpër shkolla.

Leung, paraardhës i shefes aktuale ekzekutive, Carrie Lam, ishte në detyrë midis viteve 2012-2017.

Protestat e vazhdueshme, të cilat prishën qendrën tregtare të botës, filluan me kërkesën e tërheqjes së një ligji të propozuar që do të lejonte ekstradimin e të dyshuarve në Kinë. Megjithëse Lam së pari e prolongoi, pastaj edhe e tërhoqi projekt-ligjin, protestat vazhdojnë me kërkesa të tjera.

Duke shpjeguar se shumica e njerëzve thjesht nuk e kuptojnë sistemin qeverisës të Hong Kongut dhe janë duke u mashtruar e manipuluar, Leung pretendon se niveli i protestave dhe trazirave po zvogëlohet. Ai po ashtu vlerësoi autoritetet pasi askush nuk humbi jetën gjatë trazirave.

“Trazirat në katër muajt e fundit kanë vazhduar pothuajse çdo fundjavë, bombat me benzinë u hodhën mbi forcat e sigurisë, shërbimet tregtare u ndërprenë, rrugën që çonin në aeroport u bllokuan, transportet hekurudhore u ndërprenë duke hedhur plehra dhe gjë sende tjera në binarët e hekurudhës dhe prandaj është prishur funksionimi normal i qytetit”, shpjegon Leung.

Përderisa vlerësoi përmbajtjen e ushtruar nga policia, ai megjithatë paralajmëroi se ka kufij për çdo protestë dhe qeveria duhet të sigurojë zbatimin e ligjit.

Për pavarësinë e gjyqësorit, Leung i cili është nënkryetar i Komitetit Kombëtar të Konferencës Konsultative Politike të Popullit Kinez, tha se në Hong Kong ka gjyqtarë vendas kinezë.

“Ne nuk kemi gjyqtarë kinezë të kontinentit”, tha Leung, duke komentuar kërkesën e protestuesve për lirimin e të arrestuarve.

Ai shprehu frikë se qytete të tjera në Kinë mund të imitojnë taktikat e përdorura nga protestuesit dhe rebelët e Hong Kongut, përfshirë taktikë e përdorimit të internetit për të mobilizuar njerëzit që në thelb të realizojnë luftëra guerile në qytete.

Leung tha se autoritetet kineze të kontinentit nuk ndërhyjnë në krizën aktuale në qytet, duke shtuar se, “Pekini i ka dhënë qeverisë së Hong Kongut një gradë të lartë të autonomisë dhe ata ia kanë lënë qeverisë lokale të trajtojë protestat”.

Sipas kërkesës së protestuesve për një votim universal që do t’i lejonte ata të zgjedhin udhëheqësin e qytetit, ish-shefi ekzekutiv i Hong Kongut thotë se “në thelb do të ishte e barabartë me separatizmin, duke tërhequr Hong Kongun nga Kina”.

Në vitin 2012, Pekini u zotua të lejojë shefin ekzekutiv të Hong Kongut të zgjidhet me votim universal në zgjedhjet e vitit 2017. Filloi edhe konsultimet politike mbi këtë çështje.

Megjithatë, sipas “South China Morning Post”, ligjvënësit pan-demokratë dhe aktivistët pro-demokratik në qytet me forcë kundërshtuan kornizën zgjedhore të miratuar nga Pekini më 31 gusht të vitit 2014. Ata argumentuan se sistemi i propozuar nuk po përputhej me standardet ndërkombëtare, të nevojshme për një zgjedhje të vërtetë demokratike dhe transparente.

“Kështu që, ne jemi përsëri në sheshin e parë. Protestuesit dhe shkatërruesit tani kërkojnë një votim universal dhe duke hequr autoritetit e emërimit nga Pekini”, tha Leuing.

Ai argumenton se asnjë vend në botë nuk do të lejojë të humbasë kontrollin e plotë ose të mos ketë fjalë mbi ndonjë pjesë të rajonit apo qyteti të tij. Ai tha se kjo do të barazohet drejtpërsëdrejti me separatizmin.

“Në fund të fundit, për një zgjidhje të krizës së Hong Kongut nevojitet të sigurohet parimi kushtetues i një vendi, dy sisteme”, tha ish-udhëheqësi i Hong Kongut.

Sistemi u formulua në vitin 1982 nga udhëheqësi i Republikës Popullore të Kinës, Deng Xiaoping.

Kur Kina ratifikoi sovranitetin mbi Hong Kongun nga britanikët në vitin 1997, u pajtua t’i lejojë qytetit “një gradë të lartë të autonomisë” për 50 vite.

“Shumica e njerëzve thjesht nuk i kuptojnë dispozitat e Ligjit Themelor, janë mashtruar e manipuluar. Shumë njerëz në Hong Kong, veçanërisht të rinj, po ashtu edhe komuniteti ndërkombëtar, nuk e kuptojnë sepse parimi i një vendi me dy sisteme është unik”, tha Leung.

Duke ndjekur gradën e autonomisë që gëzon Hong Kongu, Leung thotë se ai “nuk mund të krahasohet me sistemet demokratike në qytetet tjera të botës, qoftë Londra, Parisi, New Yorku apo Tokio”.