“Takimi i Komitetit Kushtetues të Sirisë ishte një pikë e rëndësishme”
BKT
   Bota

“Takimi i Komitetit Kushtetues të Sirisë ishte një pikë e rëndësishme”

"Takimi i Komitetit Kushtetues të Sirisë që u zhvillua dje ishte një pikë e rëndësishme. Shpresoj që kjo do të përbëjë hapin e parë për arritjen e zgjidhjes politike të tragjedisë së përjetuar nga sirianët", tha Guterres.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres, është shprehur se takimi i Komitetit Kushtetues të Sirisë që u zhvillua dje ishte një pikë e rëndësishme.

Guterres dhe ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, morën pjesë në "Konferencën e 6-të të Stambollit për ndërmjetësim". Në një fjalim të mbajtur, Guterres foli për çështjen e Sirisë duke bërë të ditur se tragjedia në këtë vend ka hyrë tashmë në vitin e tetë dhe se sirianët vazhdojnë të paguajnë koston më të lartë.

"Takimi i Komitetit Kushtetues të Sirisë që u zhvillua dje ishte një pikë e rëndësishme. Shpresoj që kjo do të përbëjë hapin e parë për arritjen e zgjidhjes politike të tragjedisë së përjetuar nga sirianët dhe që kjo të lehtësojë rikthimin e sigurtë dhe dinjitoz të sirianëve në territoret e tyre", tha Guterres.

Duke vënë në dukje se mirëpret përpjekjet e treguara për dialog në veri të Sirisë, sekretari Guterres ka shprehur shqetësimin e tij për situatën në Idlib.

- "Shikojmë dobinë e ndërmjetësimit dhe dialogut në Afrikë"

Ai tha se vazhdojnë të shikojnë dobinë e ndërmjetësimit dhe dialogut veçanërisht në kontinentin afrikan.

"Vërejmë pakësim në mosmarrëveshjet dhe konfliktet në Sudan, Sudanin Jugor, Etiopi, Eritre dhe në Republikën e Afrikës Qendrore dhe gjithashtu kemi filluar të shikojmë ndikimin e përpjekjeve të zhvilluara në dialog paqësor", shtoi Guterres.

Në fjalën e tij Guterres pasi ka vënë në dukje se ndërmjetësimi është një nga mjetet më të rëndësishme për t’i dhënë fund konflikteve, ka theksuar se ndryshimi i shpejtë i konteksteve gjeopolitike të konflikteve vështirëson ndërmjetësimin.

"Ndërmjetësimi nuk shfaqet si rezultat i vetëm konflikteve ushtarake. Ne gjithashtu kemi nevojë për ndërmjetësim edhe në periudha të paqes", tha Guterres./aa/