SHBA, rregulli i sigurimit shëndetësor për migrantët përballet me padi
Rregulli prek ata që kërkojnë viza të migracionit në SHBA.
Shtatë shtetas amerikanë dhe një grup joqeveritar kanë përpiluar një padi kundër një rregulli i cili parasheh që emigrantët të mund të dëshmojnë se mund të sigurojnë kujdes shëndetësor para se të marrin vizën e SHBA-ve.
Padia federale u parashtrua në Portland, Oregon, për të sfiduar rregullin i cili duhet të hyjë në fuqi të dielën, shkruan e përditshmja The Modesto Bee nga Kalifornia.
Në të akuzohet administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, se parandalon shtetasit amerikanë që të sjellin anëtarët e familjes për të jetuar me ta në SHBA.
Rregulli do të prekë ata që kërkojnë viza të migracionit nga jashtë për të zvogëluar hyrjen e migrantëve në programet publike dhe sistemin e migracionit të bazuar në lidhjet familjare.
"Kongresi bën ligje, presidenti i zbaton. Ky është një tentim skandaloz për të zëvendësuar dhe përmbysur vullnetin e Kongresit, jo vetëm në fushën e migracionit, por edhe në fushën e kujdesit shëndetësor", citohet të ketë thënë Jesse Bless, drejtori i çështjeve federale në Shoqatën Amerikane të Avokatëve të Emigracionit, të cilët ndihmuan në ngritjen e padisë.
Sipas rregullit për viza, sigurimi i kërkuar mund të blihet individualisht ose të sigurohet nga një punëdhënës dhe mund të jetë mbulim afatshkurtër ose mbulim i katastrofave.
Që kur mori funksionin, Trump ka ndjekur një qasje të rreptë për migrimin, si për atë të ligjshëm ashtu edhe për atë të paligjshëm. Washington-i ka nënshkruar marrëveshje të vendit të tretë të sigurt me Guatemalën në fund të korrikut dhe me El Salvador-in në mes të shtatorit.
Marrëveshja e vendit të tretë të sigurt detyron migrantët e Amerikës Qendrore të kërkojnë azil në vendin e nënshkruar dhe të përpunohen në atë vend përpara se të mund të kërkojnë azil në SHBA, edhe pse sipas ligjeve amerikane migrantëve u lejohet të kërkojnë azil brenda në SHBA ose në portet zyrtare të hyrjes.
Edhe pse Meksika refuzoi një marrëveshje të tillë, ajo arriti një tjetër marrëveshje në qershor me administratën amerikane pas një tarife që detyroi vendin të zvogëlojë fluksin e migracionit.























