Maas: Bashkimi i Gjermanisë ishte një dhuratë nga Evropa
BKT
   Bota

Maas: Bashkimi i Gjermanisë ishte një dhuratë nga Evropa

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas falënderoi evropianët për kontributin e tyre në ribashkimin gjerman.

Ai bëri gjithashtu thirrje për më shumë solidaritet midis kombeve evropiane, në editorialin e botuar sot në 26 vende evropiane.

Më 9 nëntor Gjermania përkujton 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit, gjë që i dha shtysë procesit që çoi në ribashkimin e shteteve të mëparshme të Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore, më 3 tetor 1990.

“Bashkimi i Gjermanisë ishte një dhuratë nga Evropa për Gjermaninë. Dhe kjo ndodhi në fund të një shekulli, në të cilin Gjermania shkaktoi vuajtje të paimagjinueshme në këtë kontinent”, shkruan Maas në editorial.

“Vjeshta e vitit 1989 tregoi se çfarë mund të bëjë Evropa kur mendon përtej kufijve kombëtarë, por njëkohësisht kriza e euros, Brexit-it dhe mosmarrëveshjet mbi refugjatët kanë krijuar përçarje të reja”, shkruan ai.

”Evropa mund t’i mbijetojë sfidave globale si globalizimi dhe ndryshimi i klimës, vetëm duke qëndruar e bashkuar”, thekson ministri i Jashtëm gjerman.