Demonstrata e madhe që çoi në rënien e Murit të Berlinit
Një kohë të gjatë flitej në Republikën Demokratike të Gjermanisë (RDGJ) për këtë mundësi. Prej muajsh njerëzit dilnin gjithnjë e më shumë në rrugë.
Në Lajpcig mbaheshin protesta çdo të hënë – njerëzit kërkonin udhëtim të lirë dhe lirinë e shprehjes së mendimit. Gjithnjë e më shumë njerëz ia kthenin shpinën vendit të tyre, që në gjuhën e regjimit të RDGJ-së komunist quhej “refugjatët e Republikës”.
Erich Honecker, njeriu më i fuqishëm prej vitit 1973, ishte rrëzuar nga pushteti më 18 tetor. Por as pasardhësi i tij Egon Krenz nuk kishte mbështetje në popull. Në këto kushte me 4 nëntor 1989 u mbajt demonstrata më e madhe e lejuar në historinë e RDGJ. Iniciatorë ishin aktorët dhe njerëzit e teatrit në lindje të Berlinit. Ata i referoheshin neneve 27 dhe 28 të Kushtetutës – pra të drejtave për lirinë e shtypit, shprehjen e lirë të mendimit dhe mbledhjen në protesta. Këto nene kanë ekzistuar në historinë 40-vjeçare të RDGJ vetëm në teori.
Kushtetuta e shkelur kaq gjatë me këmbë këtë ditë filloi të implementohet në sheshin Alexanderplatz në Berlin. Edhe sot 30 vjet më vonë flitet për shifra të ndryshme: Vlerësohet se në demonstrata kanë marrë pjesë mes 200.000 deri në një milion demonstrues. Demonstruesit qëndronin para një kamioni të shndërruar në skenë, ndërsa atje mbajtën fjalim rreth 20 persona – aktorë, këngëtarë, shkrimtarë, priftërinj – por edhe përfaqësues të regjimit.























