Raporti i Irlandës Veriore: Paramilitarizmi mbetet "realitet i zymtë"
Komisioni i Pavarur i Raportimit veprimet paramilitariste i quan pengesë serioze për paqen në rajonin e Britanisë së Madhe.
Paramilitarizmi mbetet një "realitet i zymtë" në Irlandën Veriore dhe vazhdon të jetë një "pengesë serioze për paqen dhe pajtimin", thuhet në një raport të hënën.
Raporti është nga Komisioni i Pavarur i Raportimit, masë kjo nga marrëveshja e quajtur Marrëveshja e Fillimit të Ri midis Britanisë së Madhe dhe Irlandës - dedikuar "vakumit politik në Irlandën Veriore dhe pasigurisë së vazhdueshme në lidhje me Brexit-in".
"Krahas rritjes së numrit të vdekjeve, sulmeve dhe ngjarjeve të tjera shqetësuese të lidhura me organizatat paramilitare në vitin e kaluar, detyra e dhënies fund të paramilitarizmit është bërë jashtëzakonisht më e vështirë", thanë komisionerët në një njoftim për shtyp.
Ata thanë se dhënia fund e paramilitarizmit mund të bëhet vetëm në mënyrë të qëndrueshme duke kombinuar "reagimin e përbashkët të policisë dhe drejtësisë me adresimin sistematik të privimit serioz socio-ekonomik me të cilat përballën komunitetet ku veprojnë paramilitarët".
Dhuna e fundit në Irlandën Veriore përfshin vrasjen e gazetares Lyra McKee nga republikanët disidentë në Londonderry në prill.
Ian Ogle, një punëtor i komunitetit, u vra në lindje të Belfastit në janar, në një incident që lidhet me grupin besnik Shoqata e Mbrojtjes Ulster (UDA).
Gjithashtu një gjykatë ishte objektiv i një sulmi me makinë bombë në Londonderry në janar, sulm ky që u pretendua nga IRA e Re.
Marrëveshja e Belfastit e vitit 1998, e njohur edhe si marrëveshja e së Premtes së Mirë, shënoi fundin e dhunës të epokës së trazirave në të cilën më shumë se 3.500 njerëz humbën jetën.
Fraksionet e grupit IRA mbeten aktive në Derry të Irlandës Veriore.
Kufiri midis Irlandës Veriore dhe Republikës së Irlandës ka qenë një nga çështjet më të vështira gjatë negociatave mbi Brexit-in midis Britanisë dhe BE-së.
Marrëveshja e rishikuar e rënë dakord midis kryeministri britanik Boris Johnson dhe zyrtarëve të BE hoqi klauzolën "backstop" para se qeveria të bllokonte projektligjin dhe të thirrte mbajtjen e zgjedhjeve më 12 dhjetor.
Irlanda Veriore votoi që të mbetet në BE në referendumin e vitit 2016, dhe ka frikë se procesi Brexit mund të shkaktojë armiqësi të mëtejshme në rajon./aa/























