Niveli i detit do të rritet edhe nëse arrihet caku për zvogëlimin e gazrave
BKT
   Bota

Niveli i detit do të rritet edhe nëse arrihet caku për zvogëlimin e gazrave

Sipas një hulumtimi, rritja e nivelit të detit do të jetë sfidë për civilizimin njerëzor gjatë shekujve të ardhshëm, edhe nëse arrihen qëllimet e vëna nga qeveritë botërore për zvogëlimin e gazrave që e shkaktojnë ngrohjen globale.

Periudha kohore mes rritjes së temperaturës botërore dhe ndikimit të vërshimeve bregdetare nënkupton që bota do të përballet me rritje të vazhdueshme të nivelit të detit deri në vitin 2300, pavarësisht përpjekjeve për t’i luftuar ndryshimet klimatike, thonë shkencëtarët.

Edhe nëse qeveritë i përmbushin zotimet e tyre, të dala nga marrëveshja e Parisit për klimën, periudha e parë 15-vjeçare do të sillte gazra të mjaftueshme për ta rritur nivelin e detit për 20 centimetra deri në vitin 2300.

“Edhe me zotimet e Parisit do të ketë rritje të madhe të nivelit të detit”, tha Peter Clark, shkencëtar i klimës në Universitetin Shtetëror të Oregon-it dhe njëri nga autorët e këtij hulumtimi. “Rritja e nivelit të detit do të jetë një problem i vazhdueshëm në shekujt e ardhshëm dhe do të kushtojë disa trilionë dollarë”, shtoi ai.

Bazuar në të dhënat e publikuara në këtë hulumtim, rreth gjysma e rritjes së nivelit të detit do të shkaktohet nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara, Kina, India dhe Rusia, të cilat janë ndotëset më të mëdha të ajrit në botë.

Në një hulumtim tjetër thuhet se sipërfaqja e banuar nga 300 milionë njerëz në pjesë të ndryshme të botës do të vërshohet të paktën një herë në vit pas 30 vjetësh, nëse nuk ulet sasia e gazrave artificiale, shkruan “The Guardian”