Spanja, e përçarë drejt zgjedhjeve të tensionuara
BKT
   Bota

Spanja, e përçarë drejt zgjedhjeve të tensionuara

Dhuna e paparë e protestave nga përkrahësit e pavarësisë javët e fundit në Kataluni, e nxitur nga dënimet e nëntë liderëve katalunas deri në 13 vjet burg, gjithashtu ka monopolizuar fushatën zgjedhore dhe është bërë një burim i municioneve politike kundër liderit socialist

Gjersa spanjollët janë vendosur të shkojnë në kabinat e votimit të dielën për zgjedhjet e katërta në po aq vite, sondazhet parashikojnë sfida potencialisht më të mëdha përpara për kryeministrin socialist Pedro Sánchez, derisa përpiqet të qëndrojë në pushtet - pa asnjë alternativë të mundshme. Partia e tij Socialiste pritet të dalë edhe një herë në krye, por mund të humbasë vendet në një dhomë ku ata tashmë nuk kanë shumicën ose të qëndrojnë afërsisht atje ku janë.

Kjo do të thotë që opsionet e tij për t’i joshur partitë e tjera për ta miratuar atë si kryeministër nuk duken më të lehta sesa herën e fundit - kur ai nuk arriti ta bëjë pikërisht këtë. "Bllokimi është shqetësimi kryesor, problemi kryesor politik me të cilin po kalon Spanja", tha Sánchez gjatë një debati të hënën, duke bërë thirrje për votuesit për të mbështetur një qeveri "të fortë" dhe "të qëndrueshme", e cila mund të sigurojë bashkëjetesën territoriale dhe politikat sociale.

Peizazhi politik i Spanjës ka qenë i mbizotëruar tradicionalisht nga Socialistët dhe Partia Konservatore Popullore (PP), por është bërë më e fragmentuar në vitet që nga kriza financiare me ngritjen e Podemos së majtë dhe të Ciudadanos liberale. Përçarje të mëtejshme janë shfaqur në lidhje me presionin e Katalunisë për pavarësi në 2017, si dhe për faktin që partia e ekstremit të djathtë Vox arriti të futet në parlamentin kombëtar për herë të parë në zgjedhjet e fundit në prill.

Dhuna e paparë e protestave nga përkrahësit e pavarësisë javët e fundit në Kataluni, e nxitur nga dënimet e nëntë liderëve katalunas deri në 13 vjet burg për drejtimin e dështuar të shkëputjes së rajonit në vitin 2017, gjithashtu ka monopolizuar fushatën zgjedhore dhe është bërë një burim i municioneve politike kundër liderit socialist. Sondazhet parashikojnë tani se çfarë mund të shpresojë Sánchez është një formë e bashkëpunimit midis Socialistëve të tij dhe Partisë Popullore, e cila mund ta lejojë atë të qëndrojë në detyrë nën një administratë të re të brishtë, të pakicës, pasi të dyja palët kanë përjashtuar mundësinë e formimit të një koalicioni madhështor. Një mundësi tjetër për Sánchezin do të ishte të përpiqej përsëri të arrijë një marrëveshje qeverisëse me Podemosin, pasi ai nuk arriti të bëjë këtë herën e fundit, e cila gjithashtu do të mbështetej në partitë pro pavarësisë katalunase dhe të bëhej një kabinet jashtëzakonisht i dobët për të njëjtën arsye. Vetë PP-ja, sipas sondazheve, nuk do të ketë vende të mjaftueshme me aleatët e saj për të formuar një koalicion në të djathtë.