"South African Airways" anulon fluturimet për shkak të grevës
Ekspertët thonë se greva e vazhdueshme do t’i kushtojë kompanisë ajrore miliona dollarë në të ardhura.
Qindra pasagjerë mbetën të bllokuar në aeroportet e Afrikës së Jugut, pasi transportuesi ajror “South African Airways” (SAA) anuloi fluturimet e saj për shkak të grevës nga mijëra punonjës të pakënaqur.
“Anulimi i fluturimeve për dy ditë (e premte dhe e shtunë) pason pas njoftimit nga Shoqata e Ekuipazheve të Kabinave të Afrikës së Jugut (SACCA) dhe Unioni Kombëtar i Metalistëve të Afrikës së Jugut (NUMSA) se anëtarët e tyre do të fillojnë veprimin industrial nga mëngjesi i sotëm", tha SAA në një njoftim.
NUMSA, i cili po zhvillon grevën në aeroporte, kërkon që kompania ajrore të ndalojë shkurtimin e planifikuar, gjë që mund të çojë në humbjen e vendeve të punës të qindra punonjësve.
Unioni po ashtu dëshiron që kompania ajrore të krijojë një garanci 3-vjeçare të sigurisë së punës për më shumë se 3 mijë anëtarë të saj, përfshirë anëtarët e ekuipazhit të kabinës së aeroportit, stafin teknik dhe të tjerë. Punëtorët po ashtu duan rritje të pagave prej 8 për qind ndërsa kompania ajrore u ofron atyre rritje prej 5.9 për qind.
Kompania ajrore SAA, e cila është një nga kompania ajrore më të mëdha në Afrikë, ofron fluturime ditore nëpër shumë destinacione në mbarë botën.
Kompania ajrore ka këshilluar pasagjerët që të ndjekin politikën e saj të ri-akomodimit të udhëtimit në faqen e saj të internetit për të ushtruar të drejtat e tyre kur fluturimet anulohen.
Ekspertët thonë se greva e vazhdueshme do t’i kushtojë kompanisë ajrore miliona dollarë në të ardhura.























