​Sopi-Krasniqi: Shëndetësia publike në gjendje të rëndë
BKT
Shëndetësi

​Sopi-Krasniqi: Shëndetësia publike në gjendje të rëndë

Është femra më e votuar e koalicionit Nisma-AKR-PD, të zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit. Nga ky koalicion, deputetë do të jenë Fatmir Limaj, Behgjet Pacolli, Endrit Shala, Haxhi Shala, Albulena Balaj Halimaj dhe Mirlinda Sopi Krasniqi. Kjo e fundit zotohet se do të përfaqësojë zërin e qytetarëve për shëndetësi më të mirë, arsim cilësor, e fuqizim të grave të Kosovës.

Në një intervistë për KosovaPress, Mirlinda Sopi-Krasniqi nga Aleanca Kosova e Re, thotë se është angazhimi i mëhershëm politik, i cili i ka shtyrë qytetarët e vendit që t’ia besojnë votën asaj, për t’i përfaqësuar ata në Kuvendin e Kosovës.

Si mjeke me profesion, thotë se do të ketë prioritet sektorin e shëndetësisë.

Krahas kësaj, ajo ka treguar se cilat do të jenë fushat tjera  në të cilat do të fokusohet si deputete e legjislaturës së shtatë.

Sopi-Krasniqi zotohet se kush do që do të jetë ministër i ardhshëm i Shëndetësisë, do të bashkëpunojë me të, për krijimin e strategjive të reja për mundësinë e krijimit të vendeve të reja të punës për mjekët dhe punëtorët shëndetësorë. Kjo me qëllim që mjekët të mos e lënë Kosovën, e të punojnë jashtë vendit.

Gjendja e shëndetësisë në Kosovë, sipas saj, në 20 vjetët e pasluftës është jashtëzakonisht e rëndë.

Derisa, PZAP ka marrë vendim për heqjen nga rezultati përfundimtar të votave të ardhura nga Serbia, Mirlinda Sopi-Krasniqi thotë se do të pozicionohen mirë në Kuvendin e Kosovës. Ajo tregon se aktualisht AKR në bazë të rezultateve i ka vetëm dy deputetë, Behgjet Pacollin dhe kjo e fundit. Shpreson se me rinumërim të fletëvotimeve, do të jetë edhe Islam Pacolli që do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.


MË SHUME NGA Shëndetësi