"Gjatë protestave në Iran humbën jetën të paktën 106 persona"
Gjatë protestave u shkatërruan ndërtesat publike në shumë qytete. Qeveria e Teheranit, pas rritjes së protestave të shtunën ndërpreu qasjen në internetit në të gjithë vendin.
Organizata për të drejtat e njeriut "Amnesty International" ka njoftuar se të paktën 106 persona e kanë humbur jetën gjatë protestave të zhvilluara në 21 qytete të Iranit kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Në një deklaratë me shkrim "Amnesty International" vuri në dukje se numri i të vdekurve mund të jetë edhe më i lartë nga sa parashikohet. Më tej tërhiqet vëmendja në kufizimet e medias dhe ndalimin e internetit në Iran. Pamjet nga videot e konfirmuara, deklaratat e dëshmitarëve dhe "informacionet e sigurta" nga aktivistë jashtë vendit tregojnë se protestuesit janë vrarë nga forcat e sigurisë.
Gjithashtu thuhet se protestuesit janë vendosur në objektivin e snajperëve nga disa pika nëpër çati si dhe një herë nga helikopteri.
Në deklaratë është përfshirë edhe deklarata e drejtorit për kërkime dhe mbrojtje në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut të "Amnesty International", Philip Luther i cili ka thënë se "Autoritetet duhet menjëherë t‘u japin fund këtyre presioneve brutale dhe vdekjeprurëse dhe se duhet të respektojnë jetën e njerëzve".























