Pakistan, ish-presidenti akuzohet për larje parash
Së bashku me motrën e tij, ish-presidenti Asif Zardari akuzohet për pastrimin e më shumë se 35 miliardë rupi pakistanezë (300 milionë dollarë) përmes llogarive të rreme.
Sipas të dhënave të gjykatës dhe mediave lokale në Pakistan, autoritetet antikorrupsion sot kanë ngritur akuzë kundër ish-presidentit, Asif Zardari dhe motrës së tij për përfshirjen e tyre të dyshuar në një skandal pastrimi parash në një gjykatë antikorrupsioni në kryeqytetin Islamabad.
Zardari dhe motra e tij e vogël Faryal Talpur, anëtare e Asamblesë provinciale të provincës jugore Sindh, u morën në arrest veç e veç nga Byroja Kombëtare e Përgjegjësisë, një mbikëqyrës korrupsioni në Islamabad, në një çështje të pastrimit të parave në qershor, bëri të ditur transmetuesi lokal Geo News.
Zardari, i veu i kryeministres së vrarë Benazir Bhutto dhe bashkëkryetar i Partisë Popullore të Pakistanit të qendrës së majtë, ushtroi detyrën e presidentit në periudhën 2008-2013.
Së bashku me motrën e tij, ai akuzohet për pastrimin e më shumë se 35 miliardë rupi pakistanezë (300 milionë dollarë) përmes llogarive të rreme. Megjithatë, Zardari ka mohuar akuzat.























