Filipine, mijëra të evakuuar si pasojë e tajfunit të paralajmëruar
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Filipineve parashikoi se erërat do të arrijnë shpejtësi deri në 185 kilometra në orë.
Të paktën 43 mijë persona janë evakuuar në Filipine si pasojë e Tajfunit Kammuri që pritet të godasë pjesën lindore të vendit.
Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Filipineve parashikoi se erërat e fuqishme do të arrijnë shpejtësi deri në 185 kilometra në orë dhe se stuhia mund të fillojë sonte në orët e vonshme apo mëngjesin e nesërm.
Autoritetet thanë se zona që më së shumti pritet të ndikohet nga Tajfuni Kammuri do të jetë ishulli Luzon, më i denduri në arkipelag, duke shtuar se në kryeqytetin Manila dhe qytetet përreth priten reshje intensive.
Siç bëhet e ditur, nga lindja e vendit janë evakuuar 43 mijë persona, ndërsa procesi arsimor është pezulluar.
Kammuri do të jetë tajfuni i 20-të brenda këtij viti në Filipine, ndërsa thuhet se ai do të ndjekë itinerarin e njëjtë me Tajfunin Rammasun, i cili goditi vendin në korrik të vitit 2014 dhe shkaktoi vdekjen e mbi 100 njerëzve.
Ndërkaq, Tajfuni Haiyan i cili goditi pjesët e brendshme të vendit në vitin 2013, shkaktoi vdekjen e 7.300 personave, kurse pesë milionë njerëz të tjerë u zhvendosën nga shtëpitë e tyre.























