Ish-lideri i Bolivisë përshëndet presidentin e Meksikës për solidaritetin
“Evo nuk është vetëm vëllai ynë, por gjithashtu ai përfaqëson denjësisht popullin e Bolivisë dhe veçanërisht popullin indigjen, që do të thotë angazhim i dyfishtë”, tha presidenti meksikan.
Ish-lideri i Bolivisë, Evo Morales, ka përshëndetur komentet e presidentit meksikan në solidaritet me liderin e rrëzuar.
“Ne falënderojmë presidentin vëlla (Andres Manuel) Lopez Obrador dhe popullin e Meksikës për solidaritetin e tyre të pafund me Bolivinë dhe demokracinë rajonale”, tha Morales në llogarinë e tij në twitter.
“Meksika dhe tradita e saj diplomatike për ne është një shembull i njerëzimit dhe vëllazërimit”, shtoi ai.
Dje, presidenti meksikan lavdëroi ish-kreun e Bolivisë gjatë një fjalimi për shënimin e përvjetorit të parë të tij në zyrë.
“Evo nuk është vetëm vëllai ynë, por gjithashtu ai përfaqëson denjësisht popullin e Bolivisë dhe veçanërisht popullin indigjen, që do të thotë angazhim i dyfishtë. Demokracia po, militarizmi jo”, tha Obrador duke theksuar se Morales ishte “viktimë e një grusht shteti”.
Trazirat në Bolivi filluan në muajin tetor, kur Morales fitoi një mandat të katërt në detyrë dhe u përball me rezistencën e menjëhershme nga partitë opozitare që sfiduan rezultatet e zgjedhjeve. Protestuesit dolën në rrugë duke pretenduar se votimi ishte i rremë.
Pas disa javëve trazirash, Morales dha dorëheqje nën presionin e ushtrisë dhe kaloi në Meksikë, ku iu ofrua azil politik.
Senatorja konservatore, Jeanine Anez, më pas shpalli veten presidente të përkohshme.
Por demonstrimet publike ende nuk janë larguar, me mbështetësit kryesisht rural dhe indigjenë pro-Morales të cilët dalin në rrugë për të shprehur revoltën e tyre.
Përderisa zgjedhjet e reja presidenciale u caktuan për në muajin mars të vitit 2020, qeveria e senatores konservatore kërcënon Morales me dënim me burg nëse ai kthehet në vend.























