Merkel viziton për herë të parë Aushvicin
BKT
   Bota

Merkel viziton për herë të parë Aushvicin

Kancelarja gjermane, Angela Merkel do të shkojë për herë të parë në Aushvic, një vizitë shumë simbolike në këtë ish-kamp nazist, krijuar më shumë se çdo gjë tjetër, për shfarosjen e hebrenjve, ndërkohë që Gjermania është alarmuar për një ringjallje të antisemitizmit.

Kancelarja është drejtuesja e parë e një qeverie gjermane që zhvillon një vizitë në ish-kampin e përqendrimit, që ndodhet në Poloninë aktuale, që prej rreth një çerek shekulli.

Ajo do ta bëjë këtë në prag të ceremonive përkujtimore për 75-vjetorin e çlirimit të Aushvicit në janar 1945.

”Kjo vizitë është një sinjal shumë i rëndësishëm interesi dhe solidariteti në këto kohë kur të mbijetuarit e Aushvicit janë viktima të fyerjeve antisemite dhe e-maileve të  urrejtjes”, theksoi zëvendëspresidenti i ekzekutivit të Komitetit Ndërkombëtar të Auschwitz, Christoph Heubner.

Kjo vizitë ndodh gjithashtu në momentin kur dëshmitë e fundit, të njohura dhe më pak të njohura, po zhduken, si francezja Simone Veil e cila vdiq në vitin 2017, apo amerikani, Elie Wiesel, i cili vdiq në vitin 2016.

Të dy ishin deportuar në këtë kamp ku u vranë rreth 1,1 milionë persona në vitet 1940-1945, pjesa më e madhe në ditën e mbërritjes së tyre.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila iu përgjigj një ftese të fondacionit ”Auschwitz”, do të shoqërohet nga homologu polak, Mateusz Morawiecki, një i mbijetuar dhe përfaqësues i komunitetit hebre.

Ajo do të kapërcejë portën hyrëse e tejkaluar nga slogani i rrezikshëm i nazistëve “Arbeit macht frei” (”Puna të bën të lirë”) para se të mbajnë një minutë heshtje para Murit të Vdekjes, ku u vranë mijëra të ndaluar./atsh/