Putin: Rusia është e hapur për dialog me NATO-n
BKT
   Bota

Putin: Rusia është e hapur për dialog me NATO-n

Putini tha se zgjerimin e NATO-s në lindje, Rusia e konsideron si një kërcënim për sovranitetin e saj kombëtar, por pret që interesat e sigurisë së përbashkët evropiane të triumfojnë dhe Aleanca të kthehet në dialog.

Përderisa liderët e NATO-s janë mbledhur në Londër për një samit, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme të bashkëpunojë me Aleancën në disa çështje.

Duke folur në një takim me zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes në Soçi, Putini tha se zgjerimin e NATO-s në lindje, Rusia e konsideron si një kërcënim për sovranitetin e saj kombëtar, por pret që interesat e sigurisë së përbashkët evropiane të triumfojnë dhe Aleanca të kthehet në dialog.

Putin tha se stereotipet nuk janë të dobishme për “marrjen e vendimeve efektive në kushtet me ndryshim të shpejtë të botës moderne”.

“Në të njëjtën kohë, ne në vazhdimësi kemi shprehur gatishmërinë tonë për të bashkëpunuar me NATO-n dhe bashkërisht t’u rezistojmë kërcënimeve të vërteta, duke përfshirë, siç e dimë, terrorizmin ndërkombëtar, konfliktet e armatosura lokale dhe rrezikun e përhapjes së pakontrolluar të armëve të shkatërrimit në masë”, shtoi Putin.

Më tej, Putin theksoi se NATO u themelua gjatë Luftës së Parë të Ftohtë për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik, por tani shtoi ai, nuk ekziston Bashkimi Sovjetik ose Pakti i Varshavës, por NATO ekziston dhe zhvillohet.

NATO dhe Rusia mbeten në mosmarrëveshje për disa çështje, përfshirë separatistët përgjatë kufirit të Ukrainës me Rusinë, aneksimin e paligjshëm të Gadishullit të Krimesë dhe ndërhyrjen ruse në zgjedhjet perëndimore./aa/