SHBA, nga të shtënat në bazën Pearl Harbor plagosen 3 persona
Mediat lokale raportojnë se dy persona janë në gjendje kritike, ndërsa sulmuesi ka kryer vetëvrasje.
Nga të shtënat që ndodhën dje në bazën detare dhe ajrore Pearl Harbor në Hawaii janë plagosur tre persona, duke përfshirë edhe civilë.
Mediat lokale njoftojnë se dy nga të plagosurit janë në gjendje kritike, duke shtuar se situata është nën kontroll. Raportohet se sulmuesi ka kryer vetëvrasje.
"Incidenti ndodhi rreth orës 14:30 minuta. Për shkak të incidentit, dyert e Bazës së Përbashkët Pearl Harbor-Hickam janë mbyllur", thuhet në profilin zyrtar të bazës detare dhe ajrore në Twitter.
Incidenti ndodhi tre ditë para Ditës së Përkujtimit të Pearl Harbor, që nderon 2.403 ushtarët amerikanë të vrarë në sulmin e befasishëm japonez ndaj portit në Hawaii më 7 dhjetor të vitit 1941.























