Laburistët tregojnë “gënjeshtrat” e Johnson mbi Brexit-in
Opozita laburiste ka siguruar sot një dokument qeveritar që dëshmon, sipas saj, që kryeministri konservator, Boris Johnson, po fsheh nga britanikët ndërlikimet e vërteta ekonomike të marrëveshjes së divorcit të negociuar me Bashkimin Europian.
“Ky dokument tregon se do të ketë kontrolle rregullatore, madje edhe tarifa doganore dëmtuese, midis provincës britanike të Irlandës së Veriut dhe Britanisë së Madhe pas Brexit, në kundërshtim me ato që pohon Boris Johnson për mungesën e kufirit midis dy territoreve të ndara nga Deti i Irlandës”, deklaroi kreu i laburistëve, Jeremy Corbyn, gjatë një fjalimi fushate në Londër, më pak se një javë përpara zgjedhjeve parlamentare të 12 dhjetorit.
Boris Johnson e ka bërë daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian boshtin kryesor të fushatës së tij.
Në rast fitoreje, ai planifikon t’u paraqesë përsëri deputetëve marrëveshjen e tij të Brexit-it të arritur me Brukselin, në mënyrë që dalja nga BE të hyjë në fuqi më 31 janar, një datë kjo e shtyrë tri herë, që pas votimit për të gjatë referendumit të vitit 2016./atsh/























