Laureatët e Nobelit thirrje për përgjegjësi të Suu Kyi
Sharr Travel

Laureatët e Nobelit thirrje për përgjegjësi të Suu Kyi

"I bëjmë thirrje Aung San Suu Kyi, një pranuese e Çmimit Nobel për Paqen, që të pranojë publikisht krimet, përfshirë gjenocidin, të kryer kundër Rohingya", thuhet në deklaratë.

Liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi dhe komandantët e ushtrisë së këtij vendi duhet të përgjigjen penalisht për krimet e kryera kundër myslimanëve Rohingya, theksuan në një deklaratë shtatë laureatët e Çmimit Nobel për Paqe, raporton Anadolu Agency.

"I bëjmë thirrje Aung San Suu Kyi, një pranuese e Çmimit Nobel për Paqen, që të pranojë publikisht krimet, përfshirë gjenocidin, të kryer kundër Rohingya", thuhet në deklaratën e publikuar në faqen e internetit të Nismës së Grave Nobel.

Laureatët e Nobelit që kërkuan përgjegjësi të Suu Kyi janë Shirin Ebadi, Leymah Gboëee, Tawakkol Karman, Mairead Maguire, Rigoberta Menchú Tum, Jody Williams dhe Kailash Satyarthi.

"Jemi thellësisht të shqetësuar se në vend që t'i dënojë këto krime, Aung San Suu Kyi i mohon në mënyrë aktive që këto mizori madje kanë ndodhur", thuhet në deklaratë.

Mianmari përballet me një proces gjyqësor në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të paraqitur nga vendi i Afrikës Perëndimore, Gambia, me mbështetjen e Organizatës së Bashkëpunimit Islam, për mizoritë kundër myslimanëve Rohingya gjatë viteve të fundit.

Procedimet do të fillojnë të martën dhe Suu Kyi pritet të paraqitet para gjykatës.

"Ne e përgëzojmë Gambinë për ndërmarrjen e këtij hapi për ta mbajtur Mianmarin përgjegjës për gjenocidin kundër Rohingya dhe për avancimin e drejtësisë mbi viktimat e këtyre krimeve", thuhet në deklaratë.

Më tej thuhet se Gjykata Penale Ndërkombëtare njoftoi se do të hetojë krimet e kryera kundër Rohingya vetëm disa ditë pasi Gambia paraqiti ankesë në GJND.

"Si njerëz të paqes, i kërkojmë Aung San Suu Kyi të adresojë diskriminimin sistematik të Rohingya në shtetin Rakhine, dhe të sigurojë të drejtën e Rohingya për kombësinë, pronësinë e tokës, lirinë e lëvizjes dhe të drejtat tjera themelore", theksuan laureatët e Nobelit.

Rohingya, një bashkësi etnike myslimane në shtetin Rakhine të Mianmarit, ka kohë që përballet me përndjekje sistematike dhe gjenocid nga ushtria, sipas disa raporteve të OKB-së.

Amnesty International është shprehur se mbi 750,000 refugjatë Rohingya, kryesisht gra dhe fëmijë, kanë ikur nga Mianmari dhe kanë kaluar në Bangladesh pasi forcat e Mianmarit filluan një sulm ndaj komunitetit pakicë mysliman në gusht të vitit 2017, duke e shtyrë numrin e të persekutuarve në Bangladesh mbi 1.2 milion.

Që nga 25 gusht i vitit 2017, afër 24,000 myslimanë Rohingya janë vrarë nga forcat e shtetit të Mianmarit, sipas një raporti nga Agjencia Ndërkombëtare e Zhvillimit në Ontario (OIDA).

Më shumë se 34,000 Rohingya po ashtu u hodhën në zjarre, ndërsa mbi 114,000 të tjerë u rrahën, tha raporti i OIDA, me titull “Migrimi i detyruar i Rohingya: Përvoja e Pathënë”.

Rreth 18,000 gra dhe vajza Rohingya u përdhunuan nga ushtria dhe policia e Mianmarit dhe mbi 115,000 shtëpi Rohingya u dogjën, ndërsa 113,000 të tjera u vandalizuan, thuhet më tej.