Samiti i klimës, 16-vjeçarja akuzon liderët e Botës
Aktivistja, Greta Tynberg ka akuzuar vendet e pasura të botës se nuk po i adresojnë me urgjencë rreziqet që i kanosin botës ndryshimet klimatike.
E pranishme të mërkurën në samitin e OKB-së për klimën që mbahet në Madrid, Tynberg tha se liderët politikë po punojnë vetëm për të përmirësuar imazhin dhe nuk po e zgjidhin realisht problemin.
"Besoj se rreziku më i madh është mosveprimi, kur politikanët dhe drejtuesit e kompanive bëjnë sikur veprojnë kur, në fakt, nuk po bëjnë gjë përveçse disa llogaritjeve të zgjuara dhe promovimeve publike," deklaroi 16-vjeçarja mes duartrokitjeve.
Sipas saj, duhen evituar pa vonesë pasojat e katastrofave që do pasojnë pas dhjetëvjeçarit të ardhshëm nëse rritet temperatura e Tokës.
"Liderët tanë nuk po sillen sikur të ishim në një situatë urgjente. Nuk kanë sensin e urgjencës, e panikut. Në tri javë hyjmë në dekadën e re që përcakton të ardhmen e të gjithëve ne," u shpreh Tynberg.
Samiti për klimën është fokusuar këto dy javë te zbatimi i Marrëveshjes së Parisit.
Palët po vendosin objektivat që duhen përmbushur nga vendet për të ulur nivelin e karbonit në atmosferë.























