Tre shtete indiane kundërshtojnë ligjin e ri të shtetësisë
BKT
   Bota

Tre shtete indiane kundërshtojnë ligjin e ri të shtetësisë

Ky ligj u jep shtetësi gjashtë pakicave nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi, të gjitha kombe të Azisë së Jugut me shumicë myslimane, të cilët kanë qëndruar në Indi për më shumë se pesë vite.

Krerët e tre shteteve të Indisë janë deklaruar kundër ligjit të diskutueshëm të shtetësisë, i cili ka shkaktuar protesta masive në verilindje të vendit.

Pasi u miratua në parlament, dje presidenti indian, Ram Nath Kovind, nënshkroi projekt-ligjin duke e kthyer atë në ligj në fuqi. Ky ligj u jep shtetësi gjashtë pakicave nga Afganistani, Pakistani dhe Bangladeshi, të gjitha kombe të Azisë së Jugut me shumicë myslimane, të cilët kanë qëndruar në Indi për më shumë se pesë vite.

Myslimanët mungojnë dukshëm nga lista kualifikuese për shtetësi, duke rritur frikën se kjo do të jetë një goditje tjetër për grupin e pakicave, i cili gjatë kësaj qeveria të udhëhequr nga Partia Bjaratiya Janat (BJP) është përballur me sulme të turmave nga vigjilentët hindu.

Amarinder Singh, kryeministri i shtetit verior Punjab, nuk pranoi zbatimin e projekt-ligjit.

“Çdo legjislacion që kërkon t’i ndajë njerëzit në linja fetare është i paligjshëm, joetik dhe anti-kushtetues. Fuqia e Indisë qëndron në diversitetin e saj dhe #CABBill2019 shkel parimin themelor të kushtetutës. Prandaj, qeveria ime nuk do të lejojë që projekt-ligji të zbatohet në Punjab”, shkroi ai në Twitter.

Sipas kryeministrit të shtetit jugor Kerala, Pinarayi Vijayan, masa për të vendosur shtetësinë mbi bazën e fesë është një refuzim i kushtetutës.

“Projekt-ligji për ndryshimin e ligjit të shtetësisë është një sulm ndaj karakterit sekular dhe demokratik të Indisë. Masa për të vendosur shtetësinë mbi bazën e fesë është një refuzim i kushtetutës. Ky ligj do të çojë vendin tonë prapa. Liria jonë e vështirë ka ngecur. Demokracia jonë është në rrezik. BJP e ka sqaruar se mjeti i tyre kryesor politik është komunizmi. Ne duhet t’i rezistojmë”, tha Vijayan.

Kryeministrja e Bengalit Lindor, Mamata Benerjee, po ashtu kundërshtoi ligjin.

Mediat lokale raportojnë se Benerjee në një tubim publik deklaroi, “Ne jemi me ju dhe për sa kohë që jemi këtu, askush nuk mund t’ju imponojë asgjë”.