Entuziazmi i Trumpit pas zgjedhjeve britanike
Sharr Travel

Entuziazmi i Trumpit pas zgjedhjeve britanike

Reagimet janë të ndryshme, pas fitores së fuqishme të Boris Johnson në zgjedhjet parlamentare britanike, nga entuziazmi i Donald Trump, te një pritshmëri më e kujdesshme e të tjerëve, te shumica që ndihet e lehtësuar që më në fund po kthehet faqe.

Presidenti amerikan, Donald Trump: “Përgëzime Boris Johnson-it për këtë fitore të madhe. Britania e Madhe dhe SHBA do të jenë tashmë të lira të përfundojnë një marrëveshje tregtare të re të madhe pas Brexit-it. Kjo marrëveshje është shumë më e madhe dhe më fitimprurëse se cilado marrëveshje që mund të arrihet me BE. Të lumtë, Boris!”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel: “Mezi pres bashkëpunimin e vazhdueshëm për një miqësi dhe partneritet të ngushtë mes dy vendeve tona”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitri Peskov: “Ne shpresojmë gjithmonë që forcat politike, të cilat fitojnë zgjedhjet, pavarësisht nga vendi, të dialogojnë dhe të përqendrohen në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me vendin tonë”.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez: “Urime Boris Johnson-it për fitoren. Ne do të vazhdojmë të punojmë për një Brexit të rregullt, i cili garanton të drejtat dhe liritë e qytetarëve dhe sjell siguri në sektorët ekonomikë”.

Kryeministri hollandez, Mark Rutte: “Elektorati britanik i dha Boris Johnson-it një mandat të qartë. Uroj për një bashkëpunim konstruktiv”.

Kryeministri çek, Andrej Babis: “Sa keq për Europën, është e qartë që Britania e Madhe po largohet”.

Kryeministri portugez, Antonio Costa: “Ky rezultat do të mundësojë garantimin e diçkaje themelore. Nëse Brexit arrihet, ai do të lejojë një Brexit të rregullt, të negociuar siç duhet. Është një lehtësim, sepse në të kundërt pasojat, si për qytetarët, ashtu edhe për bizneset, do të ishin jashtëzakonisht negative”.

Presidenti rumun, Klaus Iohannis: “Ky rezultat është shumë i mirë për rumunët në Britaninë e Madhe, sepse Boris Johnson dëshiron një Brexit, por me një marrëveshje të negociuar me Bashkimin Europian, një marrëveshje që mbron rumunët tanë”./ATSH/