Nis fushata “Mbështet zhvillimin e potencialit tim”, presin blerës
BKT
Shëndetësi

Nis fushata “Mbështet zhvillimin e potencialit tim”, presin blerës

Pajtim Çuni

Me qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për anëtarët e saj, Shoqata “Down Syndrome Kosova” ka lansuar fushatën “Mbështet Zhvillimin e Potencialit Tim”. Me këtë fushatë, nëpërmjet shitjes së produkteve që prodhojnë, synohet zhvillimi i potencialit të fëmijëve dhe aftësimi për një jetë të pavarur të të rinjve me sindromën down.

Agron Bilalli nuk është i vetmi, por është njëri ndër ta. Ky i ri, i prekur nga sindroma down, bashkë me shokë e shoqe, këto ditë është në vlugun e punës. Në prag të Festës së Krishtlindjes dhe Vitit të Ri, thotë se më së shumti përgatit panorama, të cilat beson se do të shiten shumë, pasi i punon me pasion e dashuri të madhe.

“Me kolegët që jam duke punuar, marrim një pjesë të letrës dhe bëjmë kartolina shumë të mira. Bredhat kanë ngjyrë të gjelbër. Këto kartolina ne i bëjmë më shumë dashuri. Presim që t’i shesim të gjitha”, pohon Billalli përderisa mbanë në dorë kartolinën e punuar.      

 Kartolinat dhe produktet e tjera që i punon Agroni, bashkë më shumë kolegë, mund t’i blejnë në formë dhurate të gjithë ata që duan.

Alban Fejza, nga Shoqata “Down Sindrome Kosova”, thotë për Radio Kosovën se më qëllim të ofrimit të shërbimeve sa më të mira për anëtarët e shoqatës, kanë lansuar fushatën “Mbështet Zhvillimin e Potencialit Tim”, për të cilën presin përkrahje nga qytetarët.

“Kjo është një fushatë që është e ndarë në tre pako dhe u referohet programeve të cilat i ofron shoqata. Në njërën nga pakot, i referohemi programit për edukim dhe intervenim të hershëm. Me këtë kërkojmë nga qytetarët që të bëhen pjesë e edukimit duke  mbështetur zhvillimin e potencialit të anëtarëve fëmijë, duke blerë pakon me produkte në vlerë prej 20 eurosh. Kjo shumë është e  bazuar në çmimin e tregut për një shërbim psiko-social”, tha ai.

 Pakoja e dytë me produkte i referohet programit për autonomi dhe aftësim profesional të anëtarëve të rritur. Pakoja e tretë ndërkaq, përmban të gjitha produktet e Shoqatës “Down Sindrom”.

Fushata “Mbështet Zhvillimin e Potencialit Tim” ka filluar kohë më parë dhe nuk ka një afat përfundimi, thotë  Aban Fejza. Ky tregon se, të prekurit nga sindroma down, si zakonisht, për të shitur produktet e tyre do të dalin edhe në sheshet kryesore të Prishtinës, ku presin blerësit potencialë të produkteve të punuara më shumë dashuri.

 

 


MË SHUME NGA Shëndetësi