Erdogani kërcënon se do të mbyllë baza strategjike për ushtrinë amerikane
Turqia i ka kërcënuar SHBA me hakmarrje, nëse ato vendosin sanksione ndaj Ankarasë për blerjen e një sistemi raketash ruse.
Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kërcënoi se do të mbyllë dy baza ushtarake strategjike të përdorura nga Shtetet e Bashkuara në Turqi, nëse Uashingtoni vendos sanksione kundër Ankarasë për blerjen e një sistemi raketash ruse.
"Po të jetë e nevojshme, ne do t'i mbyllim Incirlikun dhe gjithashtu Kurecikun," i tha presidenti turk Rexhep Taip Erdogan stacionit A Haber të dielën, duke iu referuar dy bazave ushtarake të përdorura nga Shtetet e Bashkuara. "Po të zbatohet kundër nesh kërcënimi i sanksioneve, ne do t'u përgjigjemi atyre në kuadrin e reciprocitetit."
Incirliku është një bazë ajrore në jug të Turqisë, që ka luajtur një rol të madh në operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe në Afganistan, dhe së fundmi kundër grupit "Shteti Islamik" (IS) në Siri dhe Irak. Ushtria amerikane ka strehuar gjithashtu rreth 50 bomba bërthamore me gravitet B-61 në këtë bazë. Në Kurecik në Turqinë lindore ndodhet një stacion radari i NATO-s.
Në fillim të kësaj jave, Ministri i Jashtëm turk Mevlut Cavusoglu e ngriti gjithashtu çështjen e mbylljes së dy bazave për SHBA nëse Uashingtoni vendos sanksione./DW























