Al-Sisi: Qëndrimi mbi Katarin mbetet "i pandryshuar"
"Ka përpjekje që po bëhen dhe ne shpresojmë që këto përpjekje do të kenë sukses", tha al-Sisi, duke mos dhënë më shumë detaje.
Presidenti i Egjiptit, Abdel-Fattah al-Sisi, është shprehur se qëndrimi i bllokut të udhëhequr nga Arabia Saudite në lidhje me Katarin mbetet i pandryshuar.
"Konfirmoj se asgjë nuk ka ndryshuar", tha al-Sisi duke iu përgjigjur një pyetjeje në seancën përmbyllëse të një forumi rinor të mbajtur dje në Sharm el-Sheik.
"Ka përpjekje që po bëhen dhe ne shpresojmë që këto përpjekje do të kenë sukses", tha al-Sisi, duke mos dhënë më shumë detaje.
"Ne po bisedojmë për ndërtimin e besimit dhe marrëdhënieve të shëndosha", shtoi ai.
Katari po përballet me një bllokadë të udhëhequr nga Arabia Saudite që nga viti 2017, kur Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreini dhe Egjipti ndërprenë marrëdhëniet diplomatike dhe tregtare me Katarin.
Katër shtetet akuzojnë Katarin se ka mbështetur grupet terroriste, akuzë që është mohuar fuqishëm nga Katari.
Javët e fundit, raportohet për një përparim të mundshëm në përpjekjet që synojnë zgjidhjen e krizës midis Katarit dhe vendeve fqinje.
Të hënën, ministri i Punëve të Jashtme të Katarit, Mohamed bin Abdulrahman Al Thani, tha se Doha dhe Rijadi kanë rënë dakord për kushtet themelore të pajtimit.
"Dyert tona janë të hapura për dialog", tha ai për televizionin Al Jazeera, duke shtuar se është herët që të flitet për përparimin në bisedimet me Arabinë Saudite.























